Kryetari i Komunës së Çairit dhe një nga drejtuesit e VLEN, Izet Mexhiti, ka deklaruar se po zhvillohen komunikime për mundësinë e përfshirjes së Ziadin Sela në shumicën qeveritare.
Në një intervistë televizive, ai u shpreh se “ekziston një mundësi që Ziadin Sela të bashkohet me Qeverinë, dera është hapur dhe komunikimi po zhvillohet në nivele të ndryshme”, duke lënë të hapur mundësinë e zgjerimit të koalicionit qeverisës.
Mexhiti paralajmëroi gjithashtu rikonstruim të qeverisë, duke theksuar se priten ndryshime në disa departamente dhe rotacione në personel, ndërsa shtoi se disa nga zyrtarët aktualë mund të mos jenë pjesë e përbërjes së re.
Sa i përket emrave konkretë, ai tha se nuk ka kundërshtime që Arben Fetai të vazhdojë në funksionin e tij, ndërsa për akuzat e BDI lidhur me ndërtime të paligjshme, Mexhiti u përgjigj se “nëse ka prova për tender të paligjshëm në pazarin e vjetër, le të paraqiten institucionet, projekti është realizuar në mënyrë legjitime”.
Ai shtoi se “ndërtesat e paligjshme po shemben në Çair, ndërsa Danella Arsovska merrej me fushatë”, duke thelluar përplasjet politike mes palëve.