Nga Vendi
17 November 2026
Procesi gjyqësor ndaj ish-kryetares së Tetovës, Teuta Arifi: Besoj në integritetin e drejtësisë, jam plotësisht e pafajshme

Ka vazhduar sot procesi gjyqësor ndaj ish-kryetares së Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, e cila ngarkohet me akuzën për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Në seancën e sotme dëshmuan katër persona të angazhuar dikur me kontrata në vepër në sektorë të ndryshëm komunalë, si dhe tre revizorët e brendshëm të komunës. Sipas aktakuzës së ngritur pas kallëzimit nga Komuna e Tetovës, Arifi dyshohet se ka dëmtuar buxhetin komunal për rreth një milion euro përmes lidhjes së 546 kontratave në vepër – prej të cilave për 268 persona nuk ka pasur raporte të punës së kryer, ndërsa për 248 të tjerë po.

Gjatë marrjes në pyetje nga prokurori publik dhe avokatët mbrojtës, revizorët e brendshëm deklaruan se kontrolli është bërë me kërkesë të kryetarit aktual, Bilall Kasami, në periudhën janar-mars 2022. Ata konfirmuan se punësimet janë bërë direkt nga komuna dhe jo përmes ndonjë agjencie.

Me pyetje të kryqëzuara ndërhyri edhe mbrojtja, duke kërkuar sqarime nga revizorët nëse të angazhuarit me kontratë në vepër kanë pasur obligim ligjor të kenë vend të saktë dhe orar fiks të punës. Pas përfundimit të seancës, Arifi u deklarua e pafajshme, duke e cilësuar procesin si të ulët ndaj qytetarëve që kanë kryer punë.

“Është kallëzim penal nga ana e kreut aktual të komunës dhe ishit brenda, i dëgjuat dëshmitarët që treguan se kanë shkuar, kanë qenë në vend të punës dhe është e ulët, e turpshme që qytetarët e këtij qyteti që kanë bërë një punë, cila qoftë ajo, t’i marrin dhe t’i tërheqin gjyqeve për t’iu marrë deklarata nëpër gjykata”, tha Teuta Arifi

Arifi shprehet se ka tentuar të jetë afër qytetarëve.

“Nuk është problem, unë nuk kam bërë asnjë gabim me tendencë. Kam tentuar gjithnjë të jem ndihmesë e qytetarit tim. Do ta ndiqni procesin dhe besoj se autoritetet gjyqësore do të kenë integritetin të vendosin si duhet për çdo qytetar të këtij shteti”, deklaroi ajo

Gjykatësi i lëndës, Rexhep Musa, caktoi seancën e radhës për më 1 dhjetor në orën 10:00, ku pritet të lexohen provat materiale dhe të dëgjohen një dëshmitar dhe një ekspert.



Të ndryshme
Më shumë
Atifete Jahjaga me fustan të zi, zonjë e vërtetë11 September 2026
Nga mesnata ndryshojnë çmimet e derivateve të naftës24 November 2025
Thonë se marrin nga 30 mijë euro bakshish në dasma, Aida Doçi dyshon në këto deklarata të këngëtarëve22 September 2021