Nga Rajoni
18 November 2026
"Oj Kosovo, Kosovo", Muzikanti tha se organizatorët s’e vërejtën problematikën e këngës serbe për Kosovën, Kos tha se shërbimet e saj s’e kanë miratuar

Muzikanti slloven, Marko Hatlak kërkoi falje që me grupin e tij Kapobanda luajti në koncertin që hapi Forumin e Zgjerimit të Bashkimit Europian të dielën tingujt e një kënge nacionaliste serbe për Kosovën.

Ai tha se Komisioni Europian e ngarkoi me përgatitjen e programit për ngjarjen dhe se këngën “Oj Kosovo, Kosovo” e hasi në Google, pasi kërkoi këngë trandicionale për shtetin më të ri në Ballkan.

Hatlak tha se pasi e dorëzoi programin muzikor për miratim, askush nuk e vuri në dukje problematikën e zgjedhjes së kësaj kënge.

“Brenda afatit të shkurtër prej një jave që kisha në dispozicion për ta përgatitur dhe interpretuar programin, fatkeqësisht nuk hasa në ndonjë informacion shtesë lidhur me kontekstin historik dhe politik. Po ashtu, askush nuk e vuri në dukje natyrën problematike të kësaj përzgjedhjeje gjatë shqyrtimit të programit nga organizatori i ngjarjes”, shkroi ai në një sqarim në Facebook, ku kërkoi falje dhe njoftoi se nga një kërkimfalje ua ka dërguar drejtpërdrejt edhe ambasadorit të Kosovës në Slloveni, Valdet Sadikut, ambasadorit në Belgjikë, Agron Bajrami dhe kryenegociatorit të Kosovës për intergim europian, Jeton Zulfajt.

Një kërkimfalje tha se ia dërgoi edhe komisioneres për Zgjerim të Bashkimit Europian, Marta Kos.

“Më vjen shumë keq për situatën e krijuar dhe shpresoj që ta pranoni kërkimfaljen time të sinqertë”, tha ai.

Kos, ndërkaq, u pyet nga deputeti belg, Michel De Maegd se “si ka mundur që një përzgjedhje e tillë muzikore t’i ketë shpëtuar vëmendjes së organizatorëve?” dhe se “mbi të gjitha, a nuk do të ishte e drejtë që t’i kërkohej falje zyrtare popullit kosovar?”

Kos, siç tregoi vetë deputeti belg, tha se “shërbimet e saj” nuk miratuan pjesët muzikore që u luajtën dhe tha se këtë ia ka sqaruar personalisht edhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

“Komisarja pranoi se pjesët muzikore të luajtura nuk ishin miratuar nga shërbimet e saj. Ajo shprehu keqardhjen e saj të thellë, duke sqaruar se ia kishte përcjellë personalisht ato kryeministrit kosovar. Ajo gjithashtu rikonfirmoi mbështetjen politike dhe financiare të Bashkimit Europian për Kosovën, me këtë deklaratë të fortë: ‘A mund ta imagjinoni që do t’i integrojmë të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, por jo Kosovën? Kjo nuk është e mundur’”, tregoi De Maegd.

Pas këtij skandali të dielën, Kos shprehu keqardhje duke ua hedhur përgjegjësinë muzikantëve për përzgjedhjen.

 



Të ndryshme
Më shumë
Itali: 21-vjeçari shqiptar vret me thikë nënën 3 November 2026
Pendohet Pique, jep njoftimin e papritur: Do t’i rikthehem futbollit10 January 2024
SONDAZHI/ 82 për qind e votuesve mendojnë se Edi Rama i ka shitur detin Greqisë!30 August 2020