Nga Rajoni
19 November 2026
Pas 14 orësh debatesh, Kuvendi i Shqipërisë miratoi në parim buxhetin 2027 me vlerë mbi 10 miliardë euro

Pas afro 14 orësh debatesh dhe përplasjesh mes mazhorancës dhe opozitës, Kuvendi ka miratuar në parim projektbuxhetin për vitin 2027.

Projektbuxheti, me vlerë mbi 10 miliardë euro, mori 80 vota pro, asnjë abstenim dhe 25 vota kundër.

Seanca plenare u shoqërua me diskutime të shumta mes deputetëve të të dyja krahëve politikë, ku në qendër të përplasjes ishte mënyra e shpërndarjes së fondeve publike, mbështetja sociale, pensionet, bujqësia, turizmi dhe investimet.

Mazhoranca e cilësoi buxhetin si historik, duke theksuar rritjen e investimeve publike, dyfishimin e bonusit mujor për pensionistët, uljen e TVSH-së për 54 produkte ushqimore nga 20% në 6%, si dhe shtimin e financimit për sektorë të rëndësishëm si arsimi, shëndetësia, bujqësia dhe mbrojtja.

Nga ana tjetër, opozita e kundërshtoi projektbuxhetin, duke ngritur shqetësime për nivelin e mbështetjes sociale, mungesën e konsultimit me biznesin për paketën fiskale, taksat dhe efektet që ndryshimet fiskale mund të kenë te turizmi dhe profesionistët e lirë.

Gjatë diskutimeve nuk munguan as akuzat për korrupsion, replikat politike dhe kritikat për mënyrën se si qeveria menaxhon financat publike.

Pas miratimit në parim në seancën plenare, projektbuxheti do të rikthehet për shqyrtim në komisionet parlamentare, ku do të diskutohet nen për nen dhe mund të pësojë ndryshime përpara votimit përfundimtar. /TCH/



Të ndryshme
Më shumë
Shkup, 12-vjeçari plagoset pas goditjeve me mjet të mprehtë24 June 2020
50 futbollistët më të shtrenjtë në histori të futbollit 4 July 2020
Adelina Ismaili publikon një fotografi të rrallë të saj në vitet e 80-ta10 September 2026