Nga Rajoni
23 November 2026
Një muaj paraburgim për Endrit Azemin që mashtroi se ishte i sëmurë dhe përfitoi para

Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Gjilan për një muaj paraburgim për Endrit Azemi.

Ai dyshohet të ketë pretenduar që është i sëmurë, duke kërkuar donacione për shëirmin e tij. /Gazeta Express

Njoftimi i plotë i Gjykatës Themelore në Gjilan:

Një muaj paraburgim të pandehurit për mashtrim

Gjilan, 23 nëntor 2026 – Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 1 (një) muaji të pandehurit  E. A. i cili dyshohet për kryerjen e veprës penale mashtrimi.

Sipas kërkesës së prokurorisë nga data 09.11.2026 e deri me datë 21.11.2026, i pandehuri E. A., me dashje dhe në vazhdimësi dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete, duke e përdorur metodën e mashtrimit, i sjell në lajthim personat tjerë, në atë mënyrë që ka sajuar situatën se kinse është i sëmurë me sëmundjen e Leukemisë Akute, duke prezantuar edhe dokumentacion të rremë nga spitali “Acibadem Altzunizade” në Stamboll të Turqisë, me arsyetimin se do ti nënshtrohet trajtimit lidhur me sëmundjen. E më pas përmes hapjes së “GoFound” dhe aktivitetit të familjarëve dhe personave të ndryshëm në qytetin e Gjilanit, arrin të grumbullojë shumën prej 162.522 (njëqind e gjashtëdhjetë e dy mijë e pesëqind e njëzet e dy) euro, në rrjetin “GoFound”, si dhe nga aktiviteti për grumbullimin e mjeteve në qytetin e Gjilanit janë grumbulluar shuma prej 26.684.8 (njëzet e gjashtë mijë e gjashtëqind e tetëdhjetë e katër euro e tetë cent), me çka të dëmtuarve, konkretisht qytetarëve të ndryshëm, iu ka shkaktuar dëm material në vlera të ndryshme, e që shuma e tërësishme arrin vlerën prej 189.206.8 (njëqind e tetëdhjetë e nëntë mijë e dyqind e gjashtë euro e tetë cent) duke krijuar dobi pasurore për vete. 

Më këto veprime i pandehuri dyshohet të ketë kryer veprën penale mashtrimi nga neni 323 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 e lidhur me nenin 77 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Përgjithshëm ka vlerësuar se qëndrojnë arsyet ligjore për caktimin e paraburgimit ndaj të pandehurit, duke i marrë për bazë të gjitha ato që u thanë më lart, ndërsa masat tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme për zhvillimin me sukses të procedurës penale.

Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës



Të ndryshme
Më shumë
“Hashim Thaçi ishte i urdhëruar për krijimin e Gjykatës Speciale”, Leonora Jakupi nuk kursen deklaratat17 September 2026
Sot Armend Rexhepagiqi feston!23 September 2021
Zvicra nis lëshimin e kartave të reja biometrike të identitetit, qytetarët mund të zgjedhin mes dy varianteve 2 November 2026