Nga Bota
25 November 2026
Plani i paqes i Trumpit për Ukrainën has në pengesë: Putini ka prioritete të tjera

Administrata e Presidentit amerikan Donald Trump i ka lënë mënjanë propozimet për të përdorur marrëveshje biznesi si një nxitje për Rusinë që t’i japë fund luftës në Ukrainë.

Ky vendim vjen pas mungesës së interesit nga ana e Moskës për projektet e propozuara, të cilat përqendroheshin në sektorët e energjisë dhe aviacionit, raportoi sot gazeta Financial Times (FT).

Të dërguarit e Trumpit, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, i kanë informuar zyrtarët evropianë se bashkëpunimi në biznes nuk është më një komponent thelbësor i ofertës së SHBA-së ndaj Rusisë, sipas raportit të FT-së, i cili citon pesë zyrtarë të njohur me këtë ndryshim taktikash.

Raporti u transmetua nga agjencia Reuters; Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigj kërkesës së agjencisë për koment.

Zyrtarë të lartë rusë dhe amerikanë — përfshirë Kushnerin — kishin diskutuar më parë, para pushtimit rus të Ukrainës, mbi përfshirjen e mundshme të një investitori amerikan në gazsjellësin Nord Stream, i cili furnizonte Gjermaninë me gaz. Kushner, i cili po përpiqet të ndërmjetësojë një armëpushim midis Rusisë dhe Ukrainës dhe beson se biznesi është çelësi për vendosjen e paqes, paraqiti gjithashtu ide për periudhën e pasluftës — siç janë investimet nga kompanitë amerikane në projekte ruse të naftës dhe në sipërmarrje për prodhimin e titanit — raporton FT.

Zyrtarët rusë fillimisht reaguan pozitivisht ndaj propozimeve amerikane, por më pas Rusia e humbi interesin për këtë ide, pasi këmbëngul që Ukraina — në këmbim të paqes — të dorëzojë territore dhe të bëjë lëshime të tjera që Kievi i konsideron të papranueshme, shton gazeta amerikane.

 



Të ndryshme
Më shumë
Ish-çifti shumë i njohur i “Për’puthen” rikthehen bashkë?! Kapen duke shkëmbyer komente romantike! 5 August 2021
Komuna e Tetovës ka reaguar pas akuzave publike të bëra nga shtëpia botuese "Onufri"26 May 2025
Zaimina Vasjari flet rreth raportit me bashkëshortin21 June 2021