Nga Vendi
26 May 2025
Komuna e Tetovës ka reaguar pas akuzave publike të bëra nga shtëpia botuese "Onufri"

Pas akuzave publike të bëra nga shtëpia botuese "Onufri", Komuna e Tetovës ka reaguar me një sqarim zyrtar, duke mohuar kategorikisht çdo përfshirje në blerjen e lektyrave të pretenduara dhe çdo shkelje të të drejtave autoriale.

"Informojmë opinionin se Komuna e Tetovës, por edhe kryetari Bilall Kasami, nuk ka blerë asnjë lektyrë dhe nuk ka bërë ndonjë shkelje autoriale, siç pretendojnë nga shtëpia botuese 'Onufri'", thuhet në reagimin zyrtar të komunës.

Sipas të njëjtit sqarim, lektyrat janë blerë nga shkollat e mesme komunale, të cilat me buxhetin e tyre vetanak kanë realizuar blerjen nga shtëpia botuese "Çabej". Komuna thekson se ka qenë një procedurë tërësisht e pavarur nga ana e shkollave, bazuar në ofertën më të lirë të paraqitur në treg.

“Shtëpia botuese që ka furnizuar shkollat ka dhënë ofertën më të lirë. Komuna e Tetovës nuk ka aspak implikim apo ndikim në këtë procedurë”, deklaron komuna, duke sqaruar se fondet për furnizimin e bibliotekave janë ndarë nga zëri buxhetor i paraparë për materiale shkollore.

Lidhur me akuzat për shkelje të së drejtës autoriale, komuna shprehet se nuk mban asnjë përgjegjësi ligjore për këtë çështje, dhe në rast se konstatohet një problem i tillë, përgjegjësia i takon ekskluzivisht shtëpisë botuese që ka realizuar furnizimin.

"Shpifja e radhës vazhdon, ku z. Hudhri thotë se kryetari Kasami ka shitur libra. Nuk është shitur asnjë libër. Kryetari ka qenë në vizitë në shkollat e mesme, ku ka parë sesi ka shkuar furnizimi i bibliotekave me lektyra", shtohet më tej në deklaratë.

Në fund, Komuna e Tetovës paralajmëron masa ligjore në rast se nuk ka tërheqje të deklaratave dhe kërkim falje publike nga përfaqësuesi i "Onufri".

“Po ashtu, nëse z. Bujar Hudhri nuk kërkon falje publike, do ta padisim për shpifje!”, përfundon reagimi i komunës./Almakpress

 

 



Të ndryshme
Më shumë
10 vjet burgim për serbin që dhunoi seksualisht një shqiptare gjatë luftës 5 July 2021
Këngëtarja Poni humb familjaren në moshë të re: ‘Kush do më zgjojë nga kjo ëndërr e keqe29 June 2021
Taravari dhe Mickoski pinë çaj në Gostivar25 October 2021