Nga Vendi
14 March 2026
Mickoski: Tragjedia në Koçan mbetet plagë e thellë në kujtesën e shtetit

Kryeministri i Maqedonia e Veriut, Hristijan Mickoski, deklaroi se tragjedia në Koçan do të mbetet përgjithmonë e gdhendur në kujtesën kolektive të shoqërisë, duke e cilësuar atë si një nga ngjarjet më të dhimbshme në historinë e vendit.

Ai i bëri këto komente në fjalimin hyrës të “Konferencës Ndërkombëtare për aspektet institucionale dhe klinike dhe zgjidhjet pas zjarrit në Koçan”, e cila po mbahet në Shkup.

Mickoski theksoi se konferenca është një përpjekje për ta shndërruar tragjedinë në mësim për të ardhmen dhe për të ndërtuar institucione më të forta.

“Sot jemi mbledhur me respekt për ata që humbën jetën, për familjet që mbajnë dhimbjen e humbjes dhe për të lënduarit që prej një viti luftojnë për shërim. Por jemi mbledhur edhe me përgjegjësi për të kujtuar, për të mësuar dhe për të krijuar sisteme që do të jenë më të forta se lëshimet që çojnë në tragjedi”, u shpreh kryeministri.

Ai shtoi se tragjedia në Koçan la një plagë të thellë në shoqëri, duke ndërprerë jetë dhe duke ndryshuar përgjithmonë fatet e shumë familjeve.

“Dita e aksidentit nuk ishte vetëm dita ime më e vështirë si kryeministër, por dita më e vështirë në jetën time si njeri”, tha Mickoski, duke shtuar se përgjegjësia për tragjedinë duhet të përcaktohet nga institucionet e drejtësisë.

Kryeministri theksoi gjithashtu solidaritetin e treguar nga qytetarët dhe profesionistët shëndetësorë pas ngjarjes tragjike.

“Koçani tregoi se ka njerëz që janë heronjtë e heshtur të vendit tonë. Infermierët, mjekët, shërbimet e urgjencës dhe vullnetarët punuan pa pushim për të ndihmuar”, deklaroi ai.

Tragjedia ndodhi më 16 mars të vitit të kaluar në klubin e natës Puls në Koçan, ku humbën jetën 63 të rinj dhe të mitur, ndërsa 193 persona u plagosën. Një vit pas ngjarjes, procesi gjyqësor është ende në zhvillim dhe në të janë të akuzuar 35 persona.



Të ndryshme
Më shumë
158 automjete të parkuara në mënyrë jo të rregullt në Qendër 6 July 2020
Vdes muzikanti shqiptar Ylber Aliu 30 June 2021
Zaimina Vasjari reagon pasi u mësua se puna e re e saj është specialiste në Ujësjellësin e Durrësit 2 August 2021