Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, ka mbërritur në Kinë i shoqëruar nga një delegacion i gjerë i biznesit amerikan, në një vizitë që po konsiderohet me rëndësi të lartë strategjike për marrëdhëniet mes dy fuqive më të mëdha ekonomike në botë. Në mesin e drejtuesve që e shoqërojnë janë edhe emra të njohur si Elon Musk, Tim Cook dhe Jensen Huang.
Në Pekin, Trump pritet të zhvillojë takime me presidentin kinez Xi Jinping, ku në qendër të diskutimeve do të jenë raportet tregtare, teknologjia dhe çështjet gjeopolitike. Sipas mediave amerikane, pjesëmarrja e Musk në këtë delegacion shihet si tregues i rolit të rëndësishëm që kompanitë e tij vazhdojnë të kenë në ekonominë dhe diplomacinë amerikane, pavarësisht tensioneve të mëhershme me Trumpin.
Vizita vjen në një periudhë kur SHBA-ja dhe Kina vazhdojnë përplasjet për tarifat tregtare, inteligjencën artificiale dhe industrinë e gjysmëpërçuesve. Përveç ekonomisë, liderët pritet të diskutojnë edhe zhvillimet në Lindjen e Mesme dhe ndikimin e krizave rajonale në tregjet globale të energjisë.