Një mosmarrëveshje mes prodhuesit zviceran të çokollatave Lindt & Sprüngli dhe rrjetit gjerman të supermarketeve Aldi ka përfunduar në Gjykatën Supreme Federale të Zvicrës. Në qendër të këtij kontesti është pamja e çokollatave që shiten në supermarketet e Aldi-t.
Lindt kishte paditur Aldi-n me pretendimin se çokollatat e markës “Moser Roth” ngjanin shumë me produktet e saj Lindor dhe se rrjeti i supermarketeve po përfitonte nga fama e tyre, raporton SRF.
Gjykata Supreme Federale i ka dhënë pjesërisht të drejtë prodhuesit zviceran, duke konfirmuar vendimin e mëparshëm të Gjykatës Tregtare të Aargaut për ndalimin e shitjes së çokollatave me mbështjellës të kuq.
Sipas gjykatës, ngjashmëria mes dy produkteve i mundëson Aldi-t të përfitojë nga reputacioni që Lindt ka ndërtuar në treg.
Megjithatë, gjykata nuk ka konstatuar shkelje të markës tregtare, duke vlerësuar se në përgjithësi nuk ekziston rreziku që konsumatorët të ngatërrojnë produktet e dy kompanive.
Për rrjedhojë, çokollatat me mbështjellës të kaltër të Aldi-t, si dhe ato të markës Délice, do të vazhdojnë të shiten në supermarketet e këtij rrjeti.
Stefan Hubacher, avokat i specializuar në mbrojtjen e markave tregtare, shpjegon se vendimi lidhet me njohjen e gjerë që gëzojnë çokollatat Lindor me mbështjellës të kuq në mesin e konsumatorëve, transmeton Telegrafi.
Sipas tij, Lindt ka arritur të dëshmojë se ky produkt është aq i njohur, saqë përdorimi i pikërisht kësaj ngjyre nga konkurrenti nuk mund të konsiderohet më rastësi.
Lindt kishte zhvilluar një betejë të ngjashme ligjore edhe në vitin 2022, kësaj radhe kundër rrjetit të supermarketeve Lidl.
Atëkohë, Gjykata Supreme Federale e Zvicrës kishte urdhëruar Lidl-in të ndalonte shitjen e lepujve prej çokollate me mbështjellës të artë, për shkak të ngjashmërisë me produktet e Lindt, si dhe të shkatërronte stokun e mbetur.