Nga Vendi
2 September 2020
Si do të zhvillohet mësimi, ja çka thotë ministrja Carovska

Në vend të ziles e cila simbolizon fillimin e vitit të ri shkollor, në 1 shtator ministri i Shëndetësisë dhe ajo e Arsimit shuan shpresat e nxënësve. Jo të gjithë do të mund të ulen në bankat shkollore në 1 tetor. Mësimi me prani fizike do të nis për nxënësit nga klasa e parë deri në të tretën, ndërsa fati i nxënësve të tjerë do të varet nga kushtet që kanë shkollat. Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe tha se modeli tashmë i miratuar nga Qeveria nuk është zgjidhje por mbrojtje më e mirë nga Covid 19.

Roli i prindërve në këtë proces është i pazëvendësueshëm, ata duhet të punojnë me fëmijët e tyre dhe t’i përgatisin për mënyrën e re të procesit mësimor. Dua tu drejtohem edhe atyre që ndoshta nuk janë të kënaqur nga ky model, shkollarët e mesëm të cilët i kuptoj që dëshirojnë të shkojnë në shkollë, madje vlerësoj qëndrimin e tyre. Ky model i mësimit na mbron edhe ne, ata por edhe familjarët e tyre. Kjo gjendje nuk është zgjedhje por është domosdoshmëri në interes të shëndetit dhe asgjë tjetër – tha Venko Filipçe, ministër i Shëndetësisë.

Ministrja e Arsimit, Mila Carovska tha se deri më 10 shtator do të mund të dorëzohen të gjitha kërkesat për realizim të mësimit me prani fizike. Carovska kërkoi nga mësimdhënësit që të kenë më shumë kujdes gjatë realizimit të procesit mësimor online, pasi puna e tyre do të mbikëqyret edhe nga Byroja dhe Inspektorati i Arsimit.

Sigurisht që edhe me prezencë fizike, ekipe nga Ministria e Arsimit, Byroja dhe Inspektorati për Arsim do të ndjekin kualitetin e mësimit dhe prezencën e mësimdhënësve. Në këtë plan tashmë të miratuar thuhet se do të mbahet evidencë për pjesëmarrje të nxënësve në ditarin elektronik edhe për mësimin online dhe me prezencë fizike, poashtu do të mbahet evidencë edhe për mësimdhënësit për prezencën e tyre në punë – deklaroi Mila Carovska, ministre e Arsimit.

Në protokollet e miratuara për procesin mësimor parashikohen masa të shumta mbrojtëse kundër COVID-19, ndër to janë edhe mbajtja e detyrueshme e maskës, ruajtja e distancës fizike dhe dezinfektimi i vazhdueshëm i klasave. Përshëndetja me kontakt fizik për stafin e shkollës dhe nxënësit është e ndaluar. Gjatë mësimit në klasë, dritaret duhet të mbahen të hapura nëse kushtet klimatike e lejojnë një gjë të tillë, klasat duhet të ajrosen vazhdimisht. Gjithashtu, në protokollet për shkollat parashihet që nxënësit mundësisht të marrin ushqim nga shtëpia ndërsa ushqimi i siguruar nga shkolla duhet të jetë i paketuar dhe sipas standardeve.

Melihate Rustemi



Të ndryshme
Më shumë
Publikohet një pjesë e raportit të BE-së për Maqedoninë e Veriut: Kritikohet bllokada për fillimin e bisedimeve19 October 2021
Departamenti i Shtetit: Marrëveshja me Serbinë historike, njohja e Kosovës nga Izraeli monumentale 4 September 2020
Zaev: Nuk do të ketë zgjedhje parlamentare, do të fitojmë bindshëm në raundin e dytë18 October 2021