Nga Vendi
10 September 2020
Deri në fund të muajit dihen drejtuesit e gjitha institucionet

Parlamenti është në fazën finale të formimit të komisioneve gjegjëse parlamentare. Ndërsa deri në fund të muajit do të emërohen edhe personat udhëheqës në të gjitha institucionet nën kompetencë të pushtetit ekzekutiv.

Zëvendësministrat, sipas paralajmërimeve, duhet të dihen deri në fund të kësaj jave. “Bëhen përgatitje për seancën e re në të cilën do të zgjidhen komisionet parlamentare. Nuk shoh kurrfarë problemi dhe mendoj se kjo do të zgjidhet këto ditë”, ka deklaruar Izet Mexhiti, deputet i BDI-së. Siç ka bërë të ditur Mexhiti, LSDM-ja dhe VMRO-DPMNE-ja do të udhëheqin me tetë komisione parlamentare, BDI-ja me tre, ndërsa Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa me dy. “Kryetari i Parlamentit do të udhëheq me Komisionin Kushtetues, BDI-ja do të udhëheq edhe me Komisionin për shëndetësi, ndërsa dilema është nëse do të udhëheq edhe me Komisionin për arsim”, ka njoftuar Mexhiti.

Kryeministri Zaev, në përgjigje të pyetjes së gazetarëve, paralajmëroi se deri në fund të shtatorit të emërohen të gjithë personat udhëheqës të të gjitha institucioneve nën kompetencë të pushtetit ekzekutiv, ndërsa deri në fund të javës ka për qëllim t’i dorëzojë deri te Parlamenti edhe propozimet për zëvendësministra. “Dua pas festës, më së voni deri në fund të javës, t’i dorëzoj propozimet në Parlament, ndërsa më tej ai të vendosë kur do ta caktojë seancën. Tashmë fillojmë së bashku me ministrat t’i caktojmë edhe sekretarët shtetërorë sepse kjo është një fushë specifike ku ka kushte të posaçme ligjore. Besoj se deri në fund të shtatorit do t’i emërojmë ose do t’i ripërtërijmë me pozicione udhëheqëse të gjitha institucionet të cilët drejtpërdrejt janë nën pushtetin ekzekutiv”, ka deklaruar kryeministri Zaev.

Ai ka theksuar se shumica në Parlament është e qëndrueshme dhe se me politika dhe dialog të mirë pret që kjo vetëm të rritet, e jo të bjerë. Një pjese të deputetëve, siç paralajmëroi, planifikon t’u ofrojë vende udhëheqëse në shtet. “Besoj se ditëve në vijim, Kuvendi do të bëjë verifikimin e mandatit të deputetit të ardhshëm në listën pas Jagoda Shajpanskës që koalicioni i formuar prej 62 deputetëve ta konfirmojmë plotësisht. Kam për qëllim që një pjese të deputetëve të cilët janë zgjedhur t’u ofroj vende udhëheqëse në shtet ashtu që në mënyrë të vazhdueshme në pajtim me ligjin deputetët e ardhshëm në listë të hyjnë në Parlament”, ka deklaruar Zoran Zaev, kryeministër i Maqedonisë së Veriut.



Të ndryshme
Më shumë
Bullgaria i dërgon not proteste ambasadës së Maqedonisë së Veriut në Sofje29 September 2021
Myftinia e Tetovës: Hoxhallarët t mos të bien pre e interesave politike30 September 2021
Galeria e Arteve Pamore blen 6 piktura nga piktori tetovar z. Nevzat Bejtuli-Kica | FOTO25 August 2020