Nga Vendi
18 February 2026
Hristijan Mickoski: “Ekonomi me rregulla, shtet me dinjitet – lufta kundër ekonomisë gri është proces, jo fushatë”

Qeveria do të vazhdojë me politikë të qartë për financa publike të qëndrueshme dhe mbrojtje të standardit jetësor të qytetarëve. Kështu deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski në konferencën vjetore “Formalizimi i ekonomisë joformale: Përmes bashkëpunimit drejt suksesit”.

Në fjalimin e tij, Mickoski theksoi se lufta kundër ekonomisë gri nuk është aksion i përkohshëm, por proces i vazhdueshëm dhe sistematik.

“Do të jemi të fortë dhe të drejtë – si ndaj atyre që shmangin detyrimet, ashtu edhe ndaj atyre që përpiqen të përfitojnë nga krizat. Detyrimi ynë është i qartë: ekonomi me rregulla, treg me ligje, shtet me dinjitet”, deklaroi ai.

Sipas tij, ekonomia joformale përfaqëson humbje të drejtpërdrejtë për buxhetin e shtetit dhe pengesë për rritjen e pagave, përmirësimin e shërbimeve shëndetësore, modernizimin e arsimit dhe sigurinë e pensioneve. Ai nënvizoi se qëllimi i Qeverisë është që ekonomia formale të bëhet më e lehtë, më e sigurt dhe më fitimprurëse se ajo joformale.

Në të njëjtën konferencë, ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska Koçoska, bëri të ditur se me Planin e rishikuar të veprimit 2026–2027 synohet ulja e ekonomisë joformale nga 28,9% e BPV-së deri në fund të vitit 2027.

Ajo theksoi rëndësinë e përfshirjes aktive të të gjitha institucioneve relevante, si dhe bashkëpunimin me komunitetin e biznesit, sindikatat dhe sektorin akademik. Në këtë drejtim, gjatë konferencës u nënshkrua edhe Deklarata për partneritet dhe veprim, si hap konkret drejt trajtimit të koordinuar të ekonomisë gri.

Mesazhi qendror i konferencës ishte i qartë: formalizimi i ekonomisë nuk arrihet vetëm përmes inspektimeve, por përmes reformave të thella, bashkëpunimit institucional dhe rritjes së besimit në sistem.



Të ndryshme
Më shumë
Ali Ahmeti u bën thirrje shqiptarëve për protestë më 13 dhjetor në Shkup 4 December 2025
Eronita ndan momentin e veçantë me djalin e saj, emocionet e nënës në fokus23 October 2026
Ja kush do të jetë kandidati i BDI’së për kryeministër shqiptar24 June 2020