Nga Rajoni
15 June 2021
Josep Borell: Më vjen mirë që takimi Kurti-Vuçiq po ndodh në ditën që Joe Biden është këtu

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politika të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Josep Borrell ka folur në një konferencë për media para takimit që do të mbahet me ndërmjetësimin e BE-së në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, shkruan Gazeta Express.

Borell ka deklaruar se në takimin e sotëm i pranishëm do të jetë edhe emisari i BE-së, Miroslav Lajçak, derisa, takimin Kurti-Vuçiq e ka lidhur edhe me vizitën e presidentit amerikan në Bruksel.

“Sot, së bashku me përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, ne do të mbajmë një takim të ri të nivelit të lartë të dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës. Mua më vjen mirë që kjo po ndodh në të njëjtën kohë kur Bashkimi Evropian do të takohet me presidentin Biden, këtu në Bruksel.

Është kënaqësi të takohemi në Bruksel dhe t’i mirëpresim Presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq, dhe Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, jo gjatë pas vizitës së tyre dypalëshe në Bruksel në fund të prillit”, ka thënë ai.

Borell ka bërë thirrje për Kurtin dhe Vuciqin që të vazhdojnë pa vonesa takimet për dialogun.

“Unë u bëj thirrje të dyve që të vazhdojnë me takime të dialogut pa vonesa dhe me fokus në arritjen e rezultateve, pavarësisht të gjitha dallimeve ekzistuese. Ne e dimë se ky dialog nuk do të jetë i lehtë, por ky proces dhe ky angazhim i sinqertë i të dyja palëve janë të nevojshëm për të mirën e popullit të Kosovës dhe të Serbisë”, tha ai.

“Ta bëjmë të qartë, dialogu dhe rezultati i tij janë rruga drejt të ardhmes evropiane të të dyja palëve dhe ndërkohë tashmë ka sjellë rezultate të rëndësishme për qytetarët e tyre. Për shembull, integrimi i policisë dhe sistemit të drejtësisë në veri të Kosovës në sistemin e Kosovës, grumbullimi i të hyrave nga doganat nga tregtia me Serbinë ose pjesëmarrja si anëtare e plotë në organizata dhe nisma të ndryshme rajonale”, tha tutje Borell, derisa, tha se shpreson që sot të kenë një takim të mirë dhe dobiprurës.

“Është një momentum i ri dhe ne duhet ta shfrytëzojmë atë. Kjo është një mundësi për tërë rajonin, jo vetëm për Kosovën dhe Serbinë, sepse marrëdhëniet mes tyre janë shumë të rëndësishme për stabilitetin e tërë rajonit. Stabiliteti afatgjatë dhe progresi ekonomik do të rrezikoheshin pa marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë.

Prandaj, ne presim që ta vazhdojmë dialogun me Presidentin Vuçiq dhe me Kryeministrin Kurti, për t’i mirëpritur ata në Bruksel, dhe unë shpresoj se do të kemi një takim të mirë, të rëndësishëm dhe dobiprurës”, ka përfunduar Borell.



Të ndryshme
Më shumë
Borës ia këndojnë “Kush të ndau prej meje” në festën e ditëlindjes, ky është reagimi i saj10 January 2022
Ngjarja e rëndë/ Prokuroria nis hetimet ndaj sekteve fetare 4 July 2020
Rasti i katërt me llojin “Delta” në Maqedoni, kërkohet që qytetarët të vaksinohen kundër COVID-19 7 July 2021