Nga Bota
25 June 2021
Tornado e breshër sa topi i tenisit në Çeki, shkatërrohen disa fshatra, raportohet për viktima

Një tornado dhe breshëri me madhësi sa topi i tenisit e kanë goditur pjesën juglindore të Republikës Çeke, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale dhe një numër ende të panjohur të viktimave.

Përktheu: Nasuf Abdyli

Në pamjet e publikuara në rrjetet sociale shihen ndërtesa e vetura të shkatërruara, drunj të rrëzuar dhe disa zjarre me tym të zi, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.

Agjencia çeke e lajmeve, CTK, e citoi kryetarin e fshatit Hrusky të ketë thënë se gjysma e këtij vendbanimi është bërë rrafsh me tokë.

Hedvika Kropackova, zëdhënëse e shërbimeve emergjente, tha se nga fatkeqësia ka viktima dhe se ende ka njerëz të ngujuar nën rrënoja. Ajo gjithashtu tha se autoritetet presin dhjetëra të lënduar. Megjithatë, një spital në qytetin Hodonin, afër kufirit me Sllovakinë, tha se deri më tani janë trajtuar rreth 200 të lënduar.

Ministri i Punëve të Brendshme, Jan Hamacek, tha se të gjitha njësitë e shpëtimit që janë në dispozicion janë vënë në veprim ose janë duke shkuar në rajonin e Hodoninit, ku disa komuna janë goditur nga një tornado.

Në përpjekjet për kërkim-shpëtim u angazhua edhe ushtria çeke dhe ndihmë gjithashtu po ofrojnë ekipe të shpëtimit nga Austria e Sllovakia.

Stuhia e fuqishme shkaktoi edhe ndërprerje masive të rrymës dhe pengesa në trafik. Shtyllat elektrike bllokuan një autostradë të rëndësishme që i lidh kryeqytetet Pragë dhe Bratisllavë.

Moti i lig e detyroi kryeministrin Andrej Babis që të qëndronte në Bruksel edhe pas përfundimit të një samiti të BE-së, sepse lëshimi i aeroplanit në Pragë në këto kushte do të ishte shumë i rrezikshëm./Gazeta Express



Të ndryshme
Më shumë
Shkupi, Tetova, Gostivari dhe Kumanova me më shumë raste aktive me COVID-1910 August 2021
Gruaja nga Shqipëria e rreh kosovaren në Prishtinë 2 August 2021
Për tre javë në Maqedoni janë infektuar 17 mijë qytetarë, tre mijë prej tyre kanë qenë të vaksinuar28 August 2021