Nga Rajoni
29 June 2021
Kurti: Me arsim dhe aftësim profesional ulet varfëria dhe zbutet pabarazia

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se arsimi dhe aftësimi profesional e mban çelësin e progresit teknologjik duke ulur varfërinë dhe zbutur pabarazinë sociale.

Kurti në Samitin e Arsimit dhe Aftësimit Profesional në Kosovë “VET Summit 2021” është shprehur se industria vendore nuk ka mundur t’i plotësoj vendet e punës me punëtorë të kualifikuar.

“Rritja ekonomike për sivjet shkon në 7.9 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto. Këtë duhet ta ndjekim edhe me zbatimin e aftësimit profesional që e luan një rrol vendimtar në ngushtimin e hendekut të shkathtësive. Jo vetëm që e kemi papunësinë e lartë, por njëkohësisht kemi edhe mijëra të punësuar që nuk e kanë në profesionin e tyre atë që e kanë kryer shkollimin e lartë apo të mesëm. Arsimi dhe aftësimi profesional e mban çelësin e progresit teknologjik, industrializimin e shpejtë, shtimin e vendeve të punës, krijimit të pasurisë, uljes së varfërisë dhe zbutjes së pabarazisë. Përkundër raportimeve zyrtare për papunësi të madhe, pra kemi paradoksin se bizneset, respektivisht industria nuk ka mundur t’i plotësoj vendet e punës me punëtorë të kualifikuar. Këto sinjale na kanë bërë të ditur se sistemi i arsimit profesional, pavarësisht që i është nënshtruar reformave të shumta, nuk ka arritur t’i përshtatet nevojave të industrisë”, tha Kurti, përcjell Telegrafi.

Për herë të parë në Kosovë, Klubi i Prodhuesve së bashku me Fondacionin BESA janë duke organizuar Samitin e Arsimit dhe Aftësimit Profesional (AAP) me qëllim të diskutimit mbi rolin kyç të arsimit dhe aftësimit profesional në rritjen dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të Kosovës.

“VET Summit 2021” është duke u mbajtur në ITP Park në Prizren.

Pjesë e samitit do të jenë forumet e diskutimit, prezantimi i shkollave të aftësimit profesional në vend dhe punëtoritë e ndryshme.

Të pranishëm do të jenë 150 kompani vendore dhe rajonale, institucionet qeveritare, ambasadorë, shoqatat e biznesit, donatorët ndërkombëtarë si dhe ekspertë me renome ndërkombëtare – për të diskutuar dhe shkëmbyer përvojat e tyre dhe për të parë praktikat më të mira për krijimin e një sistemi sa më të avancuar për AAP, i cili do të ndikon në zhvillim të qëndrueshëm ekonomik të vendit. /Telegrafi/



Të ndryshme
Më shumë
Osmani sot në Serbi për takime me Vuçiqin, Daçiqin dhe Brnabiqin18 February 2021
Vuçiq paralajmëron protesta të reja 1 October 2021
Mushkolaj për militantët: Fyejnë dhe linçojnë këdo që kritikon Kurtin – me t’u dhimtë27 August 2021