Nga Vendi
29 June 2020
Kufijtë e BE-së mbesin të mbyllur për shtetasit e Maqedonisë edhe pas 1 korrikut

Kufijtë e BE-së do të mbesin edhe për një kohë të mbyllur për qytetarët e Maqedonisë për udhëtime që nuk janë të domosdoshme. Edhe pse pritej që pas 1 korrikut të hapen kufijtë e jashtëm të BE-së për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, pra edhe për Maqedoninë, kjo nuk do të ndodhë për shkak të keqësimit dramatik të situatës epidemiologjike dhe rritjes jashtëzakonisht të madhe të numrit të rasteve.

Maqedonia Veriore ka situatën momentalisht më të vështirë në Evropë. Ka numër të madh të rasteve të reja të infektimeve dhe atë në numër shumë të vogël të testimeve. Suedia dhe Maqedonia kanë numër më madh të infektuarve për kokë banori në 14 ditët e fundit. E pikërisht numri i të infektuarve në dy javët e fundit për 100.000 banorë është kriteri kryesor për të vendosur një shtet në listën e atyre për të cilat BE-ja rekomandon heqjen e kufizimeve.

Ky numër duhet të jetë i përafërt apo më i vogël sesa mesatarja e Bashkimit Evropian. Kjo mesatare më 15 qershor ishte 16 raste në 100.000 banorë, ndërsa tash ka rënë edhe më shumë në BE, ndërkohë që është rritur shumë në vendet e rajonit të Ballkanit.

Në një tabelë të përgatitur nga Instituti John Hopkins, Maqedonia në 14 ditët e fundit ka pasur 98 raste të infektimeve për 100.000 banorë. Kosova 47, Shqipëria 29, Bosnjë-Hercegovina 32, Serbia 20 dhe Mali i Zi 19.

Për të gjitha këto shtete numri është mbi mesataren e BE-së, e cila, sipas të njëjtës tabelë, ka qenë 13 raste. Prandaj duket i çuditshëm propozimi që Serbia dhe Mali i Zi të jenë në listën e vendeve për të cilat rekomandohet heqja e kufizimeve nga 1 korriku. Sidomos pasi në Serbi situata po keqësohet e madje edhe shumë anëtarë të Qeverisë janë të infektuar. Ka diplomatë të cilët dyshojnë edhe në saktësinë e të dhënave. (INA)



Të ndryshme
Më shumë
Grenell: Qytetarët e Ballkanit meritojnë një president amerikan që mendon për ta17 September 2021
Zaev për Kurtin: Nëse përplasemi me Kosovën, duhet edhe me Hungarinë për shkak të azilit24 September 2021
Duda Balje s’është si në fotografi, është e shtirë… 7 July 2020