Nga Vendi
7 July 2021
Rasti i katërt me llojin “Delta” në Maqedoni, kërkohet që qytetarët të vaksinohen kundër COVID-19

Rasti i katërt i llojit indian delta të koronavirusit është konfirmuar në shtet. Pacienti është me pasqyrë të lehtë klinike dhe trajtohet në spitalin në Veles. Sipas autoriteteve shëndetësore, tani për tani, nuk planifikohen masa në lidhje me mbrojtjen e kufijve nga lloji delta, por këto ditë, më së voni deri në fillim të javës së ardhshme do ta kenë qëndrimin përfundimtar.

Filipçe konsideron se shtetet e rajonit duhet të kenë qasje më të organizuar në lidhje me përhapjen e llojit delta. Ai dje potencoi se do të bisedojë me homologët ministra nga vendet e rajonit që të ndërmarrin qëndrime të përbashkëta.

Në pjesën e pasqyrës klinike, ende nuk ka të dhëna të sakta nëse ka pasqyrë klinike më të rëndë siç kishte lloji britanik kur u paraqit. Disa publikime, tregojnë se nuk ka, por Filipçe konsideron se është ende herët për ta konfirmuar atë.

Ministri i Shëndetësisë dje kumtoi se asnjëri nga pacientët pozitiv me kovid te të cilët është izoluar lloji delta i SarsCov2 nuk është vaksinuar për Kovid-19. Pas anketave të bëra me pacientët është konfirmuar se asnjëri prej tyre nuk ka marrë asnjë dozë vaksinë, gjegjësisht as nuk është vaksinuar, as rivaksinuar.

“Nga numri i përgjithshëm i pacientëve pozitiv, te të cilët është konfirmuar prania e llojit delta, vetëm njëri është në gjendje shumë të rëndë. Bëhet fjalë për një pacient, i cili tetë-nëntë ditë prejse i ka pasur simptomat e Kovid-19, nuk ka shkuar në mjek dhe ka qenë në izolim shtëpiak”, informuan nga MSH.

Në spitale për momentin nuk ka presion, as për kontrolle. Prej dje në spitalin në Manastir nuk trajtohet asnjë pacient, ndërsa në Ohër vetëm edhe një person.

Sipas të dhënave të djeshme të Institutit për Shëndet Publik janë regjistruar 16 raste të reja me Kovid-19 prej 2.873 testimeve. Prej tyre në Tetovë – 4, Shkup dhe Strumicë – nga 3, Kumanovë – 2, Prilep, Gostivar, Ohër dhe Strugë – nga 1. U regjistruan katër pacientë të shëruar prej të cilëve dy nga Shkupi dhe nga një Kumanova dhe Kratova. Nuk janë regjistruar pacientë të vdekur.

Numri i përgjithshëm i personave të diagnostikuar në vend që nga fillimi i epidemisë është 155.732, numri i pacientëve të shëruar është 150.104, i të vdekurve është 5.486, ndërsa i rasteve aktive është 142.

Nga java e ardhshme duhet të fillojë vaksinimi në terren kundër Kovid-19. Do ta organizojë çdo drejtor i shtëpisë shëndetësore, në varësi të numrit të banorëve në vendet më të vogla.

Në lidhje me efikasitetin e vaksinave, Filipçe thekson se definitivisht mbrojnë nga format më të rënda të sëmundjes edhe nga vdekja. Këtë javë, siç kumtoi dje, vaksinohen mbi 60 mijë qytetarë të cilët janë paraqitur për vaksinim. Të gjithë qytetarët të cilët prej tani e tutje do të paraqiten, vaksinimi do të caktohet në pikat e shtëpive shëndetësore dhe në poliklinikat në Shkup.

“Në salla do të vazhdojë rivaksinimi deri në ditët e fundit të korrikut, që për në gusht të funksionojnë shtëpitë shëndetësore dhe poliklinikat”, sqaroi Filipçe.

Në shtet gjithsej janë aplikuar 613.219 doza vaksina, ndërsa janë rivaksinuar 232.595 qytetarë.

Ministria e Shëndetësisë dje ka reaguar te një pjesë e publikimeve dhe qëndrimeve në mediume se vaksina kineze “Sinovak” nuk mbron nga lloji delta dhe nga pasqyra e rëndë klinike gjatë sëmundjes së personave të vaksinuar me këtë vaksinë.

“Ky pohim është absolutisht i pasaktë, nuk ka asnjë studim ose dëshmi shkencore që e konfirmon këtë.

“Ju bëjmë thirrje mediave që të mos plasojnë teza të pavërtetuara nga individë të cilat nuk janë bazuar në informacione zyrtare nga institucionet ndërkombëtare shëndetësore. Analizat e deritanishme dhe informacionet zyrtare të OBSH-së e cila e miratoi këtë vaksinë, tregojnë se e njëjta është efikase 51 për qind gjatë mbrojtjes së rasteve asimptomatike dhe mbron 100 për qind nga zhvillimi i formës së rëndë të sëmundjes”, thonë nga Ministria.

Ministri Filipçe thotë se ende është herët të tregohet nëse do të ketë anulim gjatë fillimit të vitit të ri shkollor. Kjo do të varet nga shumë faktorë, ndërsa më së shumti nga gjendja epidemiologjike në vend.

“Më e rëndësishme është intensivisht të bëhet vaksinimi i mësimdhënësve dhe se janë të gatshëm të gjitha skenaret për fillim të vitit shkollor”, deklaroi dje Filipçe pas vizitës së Klinikës Universitare për Gjinekologji dhe Akusheri (KGJA) në Shkup.



Të ndryshme
Më shumë
Moti sot në Maqedoninë e Veriut24 August 2021
Moti me diell dhe vranësira mesatare, temperatura deri më 35 gradë 8 September 2020
Haziri: Albin Kurti t’i përvjelë mëngët, Kosova nuk duhet të dalë humbëse në dialog16 June 2021