Nga Bota
23 July 2021
BE-ja i hakmerret Hungarisë për ligjin anti-LGBT, ia shtyn bisedimet për miliarda euro

Bashkimi Evropian ka kërkuar dy muaj vonim të bisedimeve rreth planit të Hungarisë për rimëkëmbje. Pritet që ndarja e fondeve për këtë shtet të shtyhet shkaku i mosmarrëveshjeve me Brukselin, bëri të ditur Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban.

Një zëdhënës i Komisionit Evropian tha të enjten se plani i Hungarisë për rimëkëmbje, që përbën 7.2 miliardë euro grante nga Bashkimi Evropian, është ende duke u vlerësuar dhe ende nuk është e qartë se cilët do të jenë hapat e ardhshëm në proces.

Masat për vlerësim dhe shkelje, të marra nga Komisioni Evropian kundër Hungarisë rreth ligjit të cilin BE-ja e cilëson si diskriminim ndaj komunitetit LGBT, janë dy procese të ndara, ndonëse po zhvillohen paralelisht, tha zëdhënësi i Komisionit Evropian.

Orbani i tha radiostacionit publik hungarez se i është afruar një marrëveshjeje me Komisionin Evropian për ekonominë e planit të rimëkëmbjes, duke thënë se vonesa është tërësisht për shkak të mosmarrëveshjes rreth legjislacionit të LGBT-së, që është kritikuar ashpër nga udhëheqësit e BE-së.

“Ajo që shoh tani është që BE-ja do të kërkojë vonesë dymujore në vazhdimin e bisedimeve, por kjo e vë në pikëpyetje bash thelbim e fondit”, tha kryeministri hungarez.

Ai shtoi se Hungaria do ta fillojë financimin e projekteve të njëjta, të miratuara pjesërisht nga Brukseli, nga buxheti shtetëror për të shmangur ndonjë vonesë tjetër të qasjes në fonde, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.

“Arrijnë apo nuk arrijnë të hollat nga Brukseli, ne do t’i paguajmë këto fonde nga buxheti hungarez”, tha Viktor Orban.



Të ndryshme
Më shumë
Maqedoni: KSI nuk rekomandon vendosjen e masave shtesë, thonë se prioritet është vaksinimi i popullsisë 5 July 2021
Policia e Maqedonisë së Veriut kapi të arratisurin e dënuar për vrasje, dhunë dhe dëme tjera23 November 2021
Tetovë, asnjë viktimë nga covid në 24 orët e fundit20 September 2021