Nga Vendi
26 July 2021
Gjendja me COVID-19 në Maqedoni, 310 raste aktive

Që nga fillimi i epidemisë, gjithsej 156.078 njerëz të diagnostikuar me Kovid-19 janë regjistruar në vend, ndërsa 310 raste janë aktive. Ndërkohë, vaksinimi masiv vazhdon në të gjitha pikat në vend. Sot, vaksinimi në terren vazhdon, në disa vendbanime. Nga sot, qytetarët të cilët për arsye shëndetësore nuk janë në gjendje të vijnë dhe të marrin vaksinën kundër KOVID në pikën e vaksinimit, mund të caktojnë vaksinimin në kushte shtëpie.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, dje janë regjistruar 24 raste të reja. Gjashtë pacientë janë shëruar dhe nuk është raportuar asnjë vdekje.

Deri më tani në vend janë kryer gjithsej 953.144 teste të Kovid-19. Që nga fillimi i pandemisë, gjithsej 150.276 pacientë janë shëruar dhe 5.489 kanë vdekur. Numri i rasteve aktive është 310.

Ndryshe, vaksinimi në terren vazhdon edhe sot, në disa vendbanime. Vaksinimi në terren pa termin filloi më 12 korrik të këtij viti, në mbi njëqind vendbanime në të gjitha komunat në vend.

Ndërkohë, lloji delta i virusit po përhapet në Evropë, kështu që autoritetet paralajmërojnë për kujdes më të madh.

Gjatë ditës së djeshme, lloji delta u konfirmua zyrtarisht në Shqipëri.

“Duke e ndjekur procesin e gjendjes me pandeminë me Kovid-19 nga ana e Institutit për shëndet publik, pjesë e të cilit është edhe ndjekja e varianteve qarkulluese, nga kampionet e dërguara në Institutin Çerite në Berlin, Gjermani, ku u krye analiza e thellë gjenetike, u konfirmua se bëhet fjalë për variantin Delta B.1.617.2”, kumtoi dje Ministria e Shëndetësisë së Shqipërisë.

Në Shqipëri bëjnë thirrje për vaksinim më masiv në “pikën më të afërt për vaksinim, shtëpinë e shëndetit, qendrat për vaksinim masiv apo me ekipet mobile”, me qëllim që të parandalohet përhapja e virusit.

Për shkak të mutacionit të ri të virusit, ish-kryeministri grek, Kiriakos Micotakis, u bëri thirrje qytetarëve që të vaksinohen, sipas Nenit 25 të Kushtetutës greke.

Sipas kryeministrit grek, varianti i përhapur Delta i koronavirusit është më ngjitës sesa lloji origjinal, për këtë arsye “tani është më e rëndësishme se kurrë që të gjithë grekët të vaksinohen”.

Nga ana tjetër, Bullgaria është mbyllur që nga dje për udhëtarët e huaj që vijnë nga Holanda, Malta, Andorra dhe Gjeorgjia.

Shtetasit bullgarë që vijnë nga këto vende, si dhe personat që banojnë në to dhe anëtarët e familjes së tyre, do të lejohen të hyjnë në vend vetëm me test negativ të Kovid-19, pavarësisht nëse janë vaksinuar ose jo.



Të ndryshme
Më shumë
LD-Maqedoni: Janë skandaloze ndryshimet në Kodin Zgjedhor29 July 2021
Rikthimi i dasmave, Policia: Krismat nëpër dasma llogariten vepër penale e dënueshme deri në pesë vite burg21 June 2021
Florin Besimi: Do ju përfaqësojmë denjësisht 4 August 2020