Nga Vendi
29 July 2021
Rama ia kthen Kurtit: Kushdo që mendon se Mini-Shengeni është gatuar në bodrumet e ish-Jugosllavisë jeton në botë paralele

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka thënë se kushdo që mendon se Mini-Shengeni është gatuar në bodrumet e ish-Jugosllavisë jeton në botë paralele. Kjo pasi kryeministri Albin Kurti kishte deklaruar se Mini-Shengeni është vizion i Serbisë për Jugosllavi të re raporton Gazeta Express.

“Kush thotë se kjo është një nismë e projektuar në bodrumet e ish-Jugosllavisë  për të rikompozuar Jugosllavinë dhe për t’ia dhënë hegjemoninë Serbisë sepse është më e madhe  dhe do vijë të na marrë krejt çka kemi, e para jeton në një botë paralele e dyta, jeton për politikë në lëkurën e njerzve dhe jo për rritjen e mirëqenies dhe forcimin e urave mes njerëzve dhe e treta harron se po të nisemi kështu atëherë edhe BE është një Jugosllavi e madhe, nëse BE është një Jugosllavi e madhe atëherë kjo është një Jugosllavi e vogël. Por jo kjo është një hapësirë që jeton me mekanizmat e BE-së në ndërkohë që secili nga vendet bën përpjekje për t’u integruar në BE”, u shpreh Rama.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kishte deklaruar më parë se “mini-Schengeni” mund të jetë vizioni i Serbisë për një Jugosllavi të re.

“Më duhet të jem i sinqertë se Minishengeni Ballkanik nuk është realitet, më shumë është ide se sa projekt. Për të bashkëpunuar gjashtë vendet e rajonit ne kemi kornizën e Procesit të Berlinit. Në këtë kuptim edhe nuk ka ndonjë gjë të re. Minishengeni ballkanik ka rreziqet e veta, kam thënë se ai paraqet Jugosllavinë e katërt, të cilën Serbia e do, kjo është intenca e Beogradit”, shprehej Kurti.

Rama poashtu tha se rajoni nuk mund të mbetet peng i së shkuarës.

“Mozaiku i pjesëmarrjes sot është përtej tri vendeve tona, dhe besoj që është e mjaftueshme pamja e këtij mozaiku për të kuptuar vlerën dhe rëndësinë e kësaj nisme. Këtu janë të pranishëm ata që krijojnë punë, të ardhura dhe duan të shkojnë më tutje, dhe është shumë e qartë që kjo nismë është gjëja e duhur dhe jo vetëm është gjëja e duhur por ndryshe nga çfarë predikojnë disa është edhe e vonuar.Ky rajon nuk mund të vazhdojë të mbetet peng i të shkuarës në asnëj aspekt dhe kush nuk e kupton akoma se sa të vegjël jemi të ndarë për të rritur ekonomitë tona për të hapur perspektivë është i dënuar të jetojë në të shkuarën”, tha ai.

Ai tha se nisma e tri shteteve s’është asgjë e re por e ngjashme me 4 liritë themelore të BE-së.

“Ne duam të projektohemi për të ardhmën përmes një nisme e cila nuk shpik asgjë të re, por thjesht sjell në këtë rajon një shembull kuptimplotë që është Bashkimi Evropian, duke jetësuar katër liritë themelore të BE-së, lëvizjes së njerëzve,mallrave, kapitaleve dhe shërbimeve.Në momentin që ne integrohemi në BE do të bëjmë ekzaktësisht këtë që po bëjmë sot, pa Bashkimin Evropian. Pra nesër si pjesë e BE-së nuk do të ketë diskutime nëse këto 4 liri do të zbatohen në rajonin tonë”, tha kryeministri shqiptar.

Ai tutje tha se integrimin e rajonit do ta bëjnë tani para se të hyjnë në Bashkimin Evropian.

“Nuk kemi ne pse presim që integrimin e rajonit ta bëjmë pasi të kem hyrë në BE, ne do ta bëjmë tani. Sa herë duhet ta përsërisim që kjo nuk është një nismë e tre shteteve, kjo nismë që është e hapur për të gjithë, cili do që dëshiron të na bashkohet është i mirëpritur. Ne nuk kemi luksin që të humbasim kohë sepse kemi humbur shekuj”, tha Rama.



Të ndryshme
Më shumë
Adelina Tahiri publikon fotografi joshëse nga një dasmë13 August 2021
Kina nuk mbushet mend, fillon festivali i mishit të qenit, pritet të theren 5 mijë kafshë për 10 ditë22 June 2021
Bejrut/ Deri tani 78 viktima dhe 4000 të plagosur nga shpërthimi 5 August 2020