Nga Bota
17 August 2021
Bota e shqetësuar për Afganistanin, Macron thotë se nuk do të lejojnë emigracionin e paligjshëm

Evropa sheh me shqetësim zhvillimet në Afganistan, në pritje të një vale të re refugjatësh. Ndërsa qytetarët atje u përfshinë në përpjekje të dëshpëruara për t’u larguar nga vendi i pushtuar prej talibanëve, presidenti francez Emanuel Macron zotohet të ndalë vërshimet drejt kontinentit të vjetër, dhe thotë se Evropa do të krijojë një mekanizëm për t’u mbrojtur nga emigrantët e paligjshëm.

“Destabilizimi në Afganistan rrezikon të sjellë emigracion të paligjshëm në Evropë. Franca do të vijojë të ndihmojë ata që janë më të kërcënuar. Por Afganistani duhet të mobilizojë forcat e veta. Evropa nuk mund të vuajë pasojat e situatës aktuale”, ka thënë ai.

Kryeministri Boris Johnson kërkoi mbajtjen e një samiti të G7-tës, ndërsa Këshilli për Punët e Jashtme të BE, mblidhet me urgjencë për të diskutuar zhvillimet.

Sakaq, kancelarja Angela Merkel pranon se kishin gabuar të gjithë kur kishin besuar se forcat afgane mund t’i bënin rezistencë talibanëve.

“Kemi gabuar të gjithë me Afganistanin, ishim atje për gati 20 vite dhe gjatë kësaj kohe nuk i përmbushëm ato që synonim. Duhet thënë se nuk ishte një përpjekje e suksesshme dhe duhet të nxjerrim mësimet tona”, ka thënë ajo.

Gjatë një takimi të jashtëzakonshëm, Këshilli i Sigurimit të OKB i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të ofrojë ndihmë humanitare për popullin afgan gjatë një situate kaq të vështirë.

“Nuk mundet dhe nuk duhet ta braktisim popullin afgan’, tha sekretari i Përgjithshëm i OKB Antonio Guterres. Ai kërkoi fundin e menjëhershëm të dhunës, respektimin e të drejtave të të gjithë afganëve dhe të marrëveshje ndërkombëtare në të cilat Afganistani është pjesë.



Të ndryshme
Më shumë
Qeveria ndaloi dasmat, por jo edhe koncertet e festivalet në ambiente të hapura19 August 2021
Madonna: 40 vjet më parë, unë erdha në New York me vetëm 35 dollarë dhe një palë këpucë vallëzimi14 September 2021
Remzie Osmani i reagon Dua Lipës, pasi vallëzoi nën tingujt e këngës së saj 4 August 2021