Nga Vendi
31 August 2021
Etemi: I gatshëm të pranojë sfidën për Tetovën

AlmakPress: Cila ishte arsyeja që ju shtyu të futeni në politikë?

Muzafer Etemi: Sa të zgjohesh në mëngjes, nuk ka ujë; sa të hapësh derën, ajri i ndotur ta zë frymën; sa të nisesh në punë, gropa gjithandej, trafiku i stërngarkuar, makina të parkuara keq, rrugë të ngushtuara, të mbushura me kunja; pleh gjithandej; sa të mbërrish në punë, nuk ke ku e parkon makinën; sa futem te pallati i kulturës, provat janë anuluar, salla e zënë, nuk ke si e ushtron profesionin… gënjeshtra është bërë normë. Dhe unë nuk mund të rija indiferent ndaj gjithë kësaj katrahure që është krijuar nga njerëzit tanë të papërgjegjshëm, të cilët thirren në patriotizëm, ndërkaq bashkëpunojnë edhe me djallin për të plotësuar orekset e tyre prej të pangopurish.

AlmakPress: Cfarë mendoni se do të bëni ndryshe në Tetovë dhe ku fillon ndryshimi për ju?

Muzafer Etemi: Shumëcka. Transparencë nuk ka! Qytetari duhet të dijë gjithçka sa i përket buxhetit të komunës. Korrupcioni është në kulm. Kjo është sfida më e vështirë të cilën duhet tejkaluar. Administratë e stërngarkuar! Pa një sistematizim të mirëfilltë të vendeve të punës, komuna e ka të pamundur funksionimin normal. Ndërmarrje të mbytura në borxhe si rezultat i korrupcionit dhe keqmenaxhimit. Ka kohë që komuna nuk ka sjellë plan urbanistik, kjo u ka dhënë hapsirë që të japin leje ndërtimi jashtë rregulloreve dhe ligjit për urbanizëm. Veprimet e tilla lënë hapsirë që të veprojë mafia urbane pa kurfarë pengese. Një pushtet i cili lejon gjëra të tilla e ka vendin para organeve gjyqësore  jo të udhëheqë me institucionet qofshin ato lokale apo qëndrore.

Të gjitha punët që bëhen në komunë bëhen shkeleshko, as edhe një punë që bën komuna nuk bëhet me standarte të parapara me ligj. Kurrë, as edhe në një rast nuk ka llogaridhënie! Komuna duhet të jetë në shërbim të qytetarit dhe kursesi qytetarin ta trajtojë si shërbetor.

 

AlmakPress: Të qenurit aktor, pra figurë me influencë publike, sa mendoni se do t’ju ndihmojë në karierën politike?

Muzafer Etemi: Besoj se njerëzit me ndikim publik e kanë pak më të lehtë që të komunikojnë, ballafaqohen dhe të pranohen nga qytetarët, nga vetë fakti se ata tashmë janë të njohur përmes teatrit apo ekranit televiziv, ku bëj pjesë edhe unë. Megjithatë kjo nuk mendoj se është e mjaftueshme!  Lëvizjet e fundit e kan bërë qytetarin më të kujdesshëm dhe më të vëmendshëm. Tashmë qytetari e ka kuptuar se fjalët janë të pamjaftueshme për ta bindur ate që të përcaktohet për një subjekt politik. Apo thënë më troç qytetari kërkon vepra dhe jo fjalë. Sepse e kemi kuptuar se fjalët e mëdha na kanë dalë gënjeshtra të mëdha. Pa dyshim që të qenurit aktor do të ndikojë pozitivisht në karierën politike. Në fushën e teatrit unë ndjehem i realizuar, ndonëse mendoj se mund t’i japë edhe më teatrit. Po veprimtaria ime artistike më ka ndihmuar që t’i shoh lëvizjet politike nga një prizëm tjetër. Dhe këtë e kam dëshmuar me angazhimin tim, duke përfshirë këtu iniciativat e ngritura, së bashku me kolegët, për themelimin e Institucionit Nacional “Teatri i Tetovës”; Iniciativa për njohjen e diplomave të Universitetit të Tetovës. Këto nisma rezultuan të suksesshme. Themelimi i shoqatës për veprimtari skenike “Feniks”, të cilën e kam udhëhequr për disa vite rresht, e cila ndikoi në sensibilizimin e opinionit për nevojën e themelimit të Teatrit. Dhe të gjitha këto kanë një qëllim: të mirën e përgjithshme. Me kyçjen në politikë kam për qëllim që angazhimin tim ta ngre në një nivel tjetër, atë institucional. Dhe këtë do ta bëj, kuptohet me përkrahjen e njerëzve progresivë.

AlmakPress: Ku mendoni se do të performoni më mirë, në skenën e aktrimimit apo në atë të politikës?

Muzafer Etemi: Mendoj se shumë i rëndësishëm është synimi pse po ndërmerr një hap të caktuar në jetë. Unë, fillimisht këtë e kam qartësuar me vetveten. Pse po i futem kësaj aventure? Cfarë dua të arrij? Ku dua të mbërrij? A jam unë njeriu i duhur për t’u kyçur në politikë?... dhe shumë pyetje tjera, të cilave u kam dhënë përgjigje. Po kyçem në politikë që të jem i dobishëm për procesin politik, i vetëdijshëm se nuk do të jetë e lehtë.

Shpesh herë krahasojmë skenën teatrore dhe skenën politike. Mendoj se këto dy gjëra janë krejt të kundërta, ose të paktën ashtu duhet të jenë. Aktori mund ta “gënjejë“ publikun, dhe kjo “gënjeshtër” shpesh është e nevojshme dhe e dobishme për publikun. Ndërsa gënjeshtra e politikanit lë pasoja fatale për shoqërinë në përgjithësi. Prandaj duhet patur shumë kujdes se c’politikanë po ngremë, sepse pikërisht ata mund të na bëhen neser xhelatë.

 

AlmakPress: Nëse fiton partia në të cilën ju aderoni, cila do të ishte gjëja e parë që do të bënit në mbështetje të komunitetit tuaj të artistëve?

Muzafer Etemi: Teatrit profesionist për të rritur i duhet edhe teatri për fëmijë dhe unë do të punoj në këtë drejtim, shumë shpejtë te kemi edhe teatrin për fëmijë. Nuk mund të kemi publik të kultivuar pa i mësuar fëmijët të shkojnë në teatër. Gjithashtu do ta shoh mundësinë e pasurimit të repertorit të tetrit. Do të shfrytëzoj të gjitha mundësitë ligjore për të parë ngecjet dhe keqpërdorimet që janë bërë në ndërtimin e objektit të teatrit dhe të bibliotekës.

 

AlmakPress: A besoni vërtetë te politika, apo e shikoni si një domosdoshmëri të kohës angazhimin në të?

Muzafer Etemi: Çfarë duhet t’besojmë te politika, a mund t’i besohet politikës te ne, si t’i besojmë ku pikërisht kjo politikë na ka sjellë në këtë gjendje? Nuk duhet të harrojmë se pikërisht kjo politikë ka punuar që të devalvojë cdo gjë, që individin ta çveshë nga cdo vlerë njerëzore. Dhe për fatin tonë të keq ka patur sukses, ia ka arrit qëllimit. Tani pothuaj çdo person i cili posedon vyrtyte njerëzore është terhequr në vetvete sepse ka humbur besimin, dhe kjo është shumë e rrezikshme sepse i lë hapsirë maifies, krimit dhe të gjithë atyre që nuk ia duan të mirën qytetit dhe qytetarëve tanë. Do doja që përmes kësaj interviste t’u bëj thirrje të gjithë atyre njerëzve të arsyeshëm, atyre që e duan një të ardhme të mirë për veten dhe për fëmijët e tyre, që të bashkohemi dhe t’i dalim zot vetevetes, ndonëse jemi pak vonë. Kursesi nuk mund ta kuptoj se si disa “intelektualë“ po edhe të tjerë, të rreshtohen rreth një subjekti i cili e ka dëshmuar me të gjitha marifetet se ka vetëm një qëllim, t’i mbushë xhepat! E kjo dëmton cdo proces prosperues të një shoqërie. Është koha e fundit t’i themi ndal këtij rrënimi të përgjithshëm.  

 

 

AlmakPress: Partia juaj akoma nuk ka zyrtarizuar një emër si kandidat për Tetovën, megjithëse emir juaj është përfolur shpesh. A do ta pranonit një propozim të tillë? Pra të hyni në garë për Tetovën?

Muzafer Etemi: Po, emri im është njëri ndër emrat e mundshëm për kandidat për kryetar komune. Po, tashmë ka kohë që kam pranuar të jem pjesë e kësaj gare.



Të ndryshme
Më shumë
Kim Kardashian tregon fizikun e përsosur16 June 2021
Kjo është çika e Mixhes Ramë16 October 2021
Ministria e Mbrojtjes ka hapur konkurs për punësimin e 200 ushtarëve, rroga 25 mijë denarë17 September 2020