Nga Vendi
2 September 2021
Maqedoni/ U regjistrua viktima më e re në moshë prej fillimit të pandemisë

Në statistikën e Ministrisë së Shëndetësisë dje u regjistrua viktima më e re nga Kovid-19 prej fillimit të epidemisë. Bëhet fjalë për pacienten 15-vjeçare nga Sellca e Tetovës, nëna e së cilës gjithashtu kishte ndërruar jetë nga komplikimet e shkaktuara nga Kovid-19. Sipas raportit mjekësor, bëhet fjalë për rast jashtëzakonisht të rëndë, me formë të rëndë të zhvilluar të sëmundjes, pacientja ka qenë me obezitet (peshë e ngritur trupore).

Përveç vajzës 15-vjeçare, dje u regjistruan edhe 25 persona të vdekur nga Kovid-19. Tetë janë nga Shkupi, gjashtë nga Tetova, tre nga Struga, nga dy persona nga Gostivari dhe Kërçova, dhe nga një person nga Prilepi, Ohri, Dibra, Vinica dhe Kratova.

Nga 6006 teste të bëra dje u regjistruan 906 raste të reja. Nga rastet e reja, më së shumti janë në Shkup – 423, Tetovë – 68, Kumanovë – 60, Gostivar – 51 dhe Strumicë – 39.

Për momentin, aktivë me sëmundjen janë 14.785 raste. Më së shumti në Shkup – 5802, Tetovë – 2004, Gostivar – 1204 dhe Kumanovë – 922.

Në Tetovë, Gostivar, pjesërisht edhe në Kërçovë dhe Strugë ndaj spitaleve ka presion më të madh. Në Tetovë gjithsej janë të hospitalizuar 105 persona prej të cilëve madje 104 janë në mbështetje oksigjeni, kumtoi koordinuesi në kovid-qendrën, Gëzim Nuredini.

Nga Ministria e Shëndetësisë edhe njëherë bënë thirrje qytetarët të vaksinohen sepse, sipas mjekëve, vetëm me vaksinim të plotë parandalohet forma e rëndë e sëmundjes dhe ulet mundësia për sëmurje si dhe epilogu me vdekje.

Pardje u aplikuan 13.037 vaksina, ndërsa deri më tani gjithsej janë vaksinuar 728.628 qytetarë. Janë aplikuar 1.267.666 doza të vaksinave, ndërsa janë rivaksinuar 539.037 qytetarë, informoi Ministria e Shëndetësisë.

Me numrat e fundit, 53 për qind e popullatës mbi 40 vjeç ka pranuar së paku një doze të vaksinës.

Dje Qeveria kumtoi se nuk do të ketë testime kundër Kovid-19 në kufij.

Në vendkalimet kufitare prej dje vlen masa për tregim të certificates për vaksinim apo vërtetim për kalim të sëmundjes Kovid-19, me qëllimin e vetëm që vendi të mos njihet si eksportues I virusit. Secili qytetar I cili planifikon të dale nga shteti dhe të udhëtojë dhe në pjesën e madhe të shteteve evropiane dhe botërore duhet t’I tregojë dokumentet e njejta, certifikatë për vaksinim me dy doza dhe test negative PCR jo më të vjetër se 72 orë.

Nga Qeveria dje u theksua se masat e miratuara kontribuojnë për nxitje të imunizimit masiv si përgjigje më adekuate ndaj parandalimit të përhapjes së virusit Kovid-19. 



Të ndryshme
Më shumë
“Tre kombe bëjnë më shumë se një komb”, Zaev mesazh Kurtit rreth çështjes së “Ballkanit të Hapur” 9 August 2021
Norvegjia i thotë lamtumirë veturave me naftë dhe benzinë, nga 2022 do të blejnë vetëm ato elektrike27 September 2021
Zëri i Amerikës: Çfarë po kërkon Grenell në Ballkanin Perëndimore, angazhimi i tij mbetet mister10 August 2021