Nga Vendi
8 September 2021
Xhaferi në takim me Kuçava: Rritet bashkëpunimi në mes Maqedonisë së Veriut dhe Gjeorgjisë

Në suazat e Konferencës së pestë botërore të kryetarëve të parlamenteve që mbahet në Vjenë, Austri, Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, realizoi takim me Kryetarin e Parlamentit të Gjeorgjisë. Kaha Kuçava.

Kryetari Xhaferi shprehu kënaqësi që pas vendosjes së marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Gjeorgjisë në vitin 2019, bashkëpunimi bilateral në nivelin e lartë lëviz në vijën përpjetë, dhe konfirmim për këtë është vizita e Presidentes së Gjeorgjisë, Sallome Zurabishvili në vendin tonë në maj të këtij viti. Ai foli për avancimin e bashkëpunimit ndër-parlamentar, duke theksuar se në të dy parlamentet janë formuar grupet e bashkëpunimit dhe miqësisë, a deputetët e të dy vendeve bashkëpunojnë me sukses edhe në suazat e asambleve ndërkombëtare parlamentare.

Xhaferi vlerësoi se Marrëveshja për lehtësimin e regjimit të vizave dhe e Memorandumit për
bashkëpunim në fushën e kulturës janë me rëndësi të madhe për avancimin e marrëdhënieve bilaterale, a bashkëpunimi për abrogimin e ndërsjellë të vizave pa dyshim se do të kontribuojë për një komunikim më të mirë dhe për përforcimin e miqësisë ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Gjeorgjisë.

Kryetari i Parlamentit të Gjeorgjisë, Kaha Kuçava, shprehu mirënjohje që Republika e Maqedonisë së Veriut i mbështet sovranitetin dhe integritetin territorial të Gjeorgjisë në kuadër të kufijve të pranuar ndërkombëtarisht.

Ai theksoi se dy vendet e ndajnë përcaktimin strategjik për anëtarësim në BE dhe NATO për mbështetjen në mënyrë të ndërsjellë në planin ndërkombëtar. Përvojat e Maqedonisë së Veriut në kuadër të proceseve integruese mund të jenë në dobi të madhe për Gjeorgjinë.

Njëherazi, Kuçava informoi se në vitin 2020 në Parlamentin e Gjeorgjisë është themeluar Qendra Parlamentare e Hulumtimit, në bazë të përvojave nga Instituti Parlamentar i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Ai vlerësoi se vizitat reciproke të kryetarëve të dy parlamenteve në masë të madhe mund të thellojnë bashkëpunimin ndër-parlamentar dhe t’i avancojnë marrëdhëniet bilaterale.

Në fund të takimit, kryetarët Xhaferi dhe Kuçava shprehën gatishmëri për avancimin e mëtejshëm të bashkëpunimit mes dy parlamenteve, si në suazat e asambleve parlamentare ndërkombëtare, ashtu edhe në nivelin bilateral, ndërmjet grupeve parlamentare të bashkëpunimit dhe komisioneve të Politikës së Jashtme dhe Çështjeve Evropiane.



Të ndryshme
Më shumë
Albërije Hadërgjonaj në fustan transparent, merr vëmendjen me format e trupit 5 July 2021
Super Shqipëria, e fillon me fitore Ligën e Kombeve 5 September 2020
Studeniçan, procesi zgjedhor vijon nën masa kujdesi15 July 2020