Nga Vendi
8 October 2021
Intervistë me Vullnet Murselin: Ja pse duhet të më votoni mua për kryetar komune!

AlmakPress: Emri juaj si kandidati përfaqësues i koalicionit Aleanca për Shqipëtarët- Alternativa ishte emri i fundit i bërë publik nga të gjithë kandidatët. A kishte dilema në strukturat e koalicionit, ju nuk ishit i vendosur apo ishte një strategji e mirëmenduar për të tërhequr vëmendje?

 

Murseli: Gara për emrimin e kandidatit për kryetar komune nga ana e koalicionit ASH/AA ka qenë shumë e pasur. Janë përmendur disa emra, janë diskutuar shumë koncepte, ide e vizione, janë bërë anketa të brendshme e të jashtme për të kuptuar se cili kandidat që ka vizion dhe koncept të qartë për komunën i plotëson më së miri kushtet për të qenë kandidati për kryetar komune. Sigurisht që edhe kundërkandidatët e mi përbrenda koalicionit kanë patur vizion e koncept shumë të qartë, dhe këtu s’kemi patur kurfarë dilemash, por për ne ka qenë e rëndësishme që të shqyrtojmë çdo mundësi, nga çdo perspektivë dhe të gjejmë atë që ka dhe mbështetjen më të madhe tek qytetarët. Nuk kishim pse nxitohemi për diçka të tillë, i respektuam afatet dhe bëmë punën si është më së miri. Plus që i përfshimë më shumë koncepte e vizione për të krijuar planin e udhëheqjes së Tetovës gjatë katër viteve të ardhshme. Njëkohësisht punojmë në krijimin e një plani dhe vizioni më afatgjat për Tetovën.

 

AlmakPress: Përfshirja juaj në politikë besoj ka qënë surprizë edhe për familjen dhe të afërmit tuaj. Si u prit prej tyre dhe cilat ishin reagimet?

 

Murseli: Realisht, unë jam vetëm anëtar dege në ASH, nuk jam aq i kyçur në politikë. Kryetari i komunës nuk duhet të jetë politikan, por duhet të jetë menaxher. Politikanë i kemi patur deri tash, dhe kundërkandidatët e mi janë të gjithë politikanë. Ajo që i duhet qytetit është një menaxhim i suksesshëm. Kandidatura ime u prit shumë natyrshëm sepse qytetarët jnë lodhur nga politikanët që udhëheqin komunat si mos më keq.

 

AlmakPress: Si një nga figurat e reja në arenën politike, të paktën në kandidaturat për të parin e komunës së Tetovës, cila mendoni se është pika juaj e fortë që do bindi qytetarët të votojnë për ju?

 

Murseli: Qytetarët e Tetovës kanë mundësi të zgjedhin midis shtatë kandidatëve në këtë listë. Por të jemi realistë, gara do të zhvillohet midis katër kandidatëve. Dy nga oponentët e mi kanë qënë kryetarë komunash dhe kanë dështuar. I treti e provoi garën dhe dështoi poashtu. E kuptoj që gjithsecili ka të drejtë të garojë e të shpresojë, por ana ime e fortë është përvoja ime në menaxhimin e projekteve të mëdha dhe përplotë sfida. Një projekt i tillë është edhe Tetova, me gjitha problemet që ka. Unë mendoj se pika ime më e fortë është programi im që është i realtë, i realizueshëm dhe pa shumë filozofi dhe premtime boshe, por edhe vullneti im dhe gjithë ekipit tim për ta bërë Tetovën një qytet më të mirë.


 

AlmakPress: Ju vini me një background të një menaxheri të mirë dhe biznesmeni të suksesshëm. Cfarë ju shtyhu të hyni në këtë garë? Është plotësimi i një ambicie të mëhershme apo vlerësuat se ju këni cfarë të jepni në udhëheqjen e qytetit dhe tani ka ardhur koha?

 

Murseli: Përvoja ime me biznesin privat por edhe në menaxhimin e drejtorisë së fondit për shëndetësi nuk duhet të kufizohet vetëm me aq. Unë jam i sigurtë që kam shumë për t’i ofruar shoqërisë, dhe këtë dua t’ja ofroj së pari qytetit tim. Është koha që të mbledhim rreth vetes forcat më përparimtare, të rinj e të reja që duan të kontribojnë për ta parë këtë qytet të shkojë përpara. Deri tani të rinjtë e të rejat janë shfrytëzuar vetëm si makineri votimi, por kjo gjë do të ndryshojë. Qytetit dhe qytetarëve do ia kthejmë krenarinë dhe dinjitetin që ja kanë shkelur për vite me rradhë paraardhësit e mi.


 

AlmakPress: Nga 12 Pikat e përmbledhura të programit tuaj, cilen e keni vlerësuar si më “urgjenten” për t’i dhënë zgjidhje?

 

Murseli: Janë ndarë në dy grupe nga gjashtë. Do punohet njëkohësisht për realizimin e të gjithave, por gjërat më të nevojshme për qytetin tonë janë pastërtia publike dhe gjelbrimi, pastaj modernizimi i rrjetit të shpërndarjes së ujit, ndërtimi i vendparkimeve të reja, hapja e rrugëve të reja, si dhe një administratë më efikase , më transparente, më e afërt me qytetarët.

AlmakPress: A po zbatohet si duhet kodeksi i nenshkruar paraprakisht.


Murseli: Shohim se kryetarja në ikje po shfrytëzon administratën dhe keqpërdor pozitën për fushatë, por për këtë duhet të reagojnë mediat, komisioni zgjedhor, OSBE-ODIHR, etj.  Por, fushata ime po zhvillohet në mënyrë pozitive, dhe ashtu do të vazhdojë. Ne nuk kemi nevojë as t’ja grisim as t’ja thyejmë bilbordet oponentëve tanë sepse ne kemi programin më të mirë dhe garojmë me vlera.


 

AlmakPress: Sa transparent do jeni me qytetaret dhe me mediat nese ju fitoni mandatin?

 

Murseli: Edhe sot që s’jam kryetar komune, unë i kam dyert dhe telefonin hapur për të gjithë qytetarët. Ne duam Tetovën ta bëjmë më mirë, dhe do ta bëjmë më mirë, prandaj do të jemi gjithmonë të hapur edhe për mediat edhe për qytetarët.Për gazetarët duam të krijojmë “media center” në komunë, që të mos kenë nevojë as në telefon të na marrin, por të jenë të pranishëm aty kur të duan. Ndryshimi që do promovojmë patjetër të jetë transparencë e plotë, se tani për momentin qytetarët s’kanë qasje të mjaftueshme në komunën e tyre.   

 

 

AlmakPress: Cili është kujtimi juaj më i bukur në Tetovë?


Murseli: Tetova e fëmijërisë sime dhe Tetova e rinisë medoemos bartin kujtimet më të bukura në jetë. Kemi marrë teleferikun për të shkuar në Kodrën e Diellit, kemi patur një qytet që është mburrur për gjelbërimin dhe pastërtinë, lagje të vogla e të bukura me arkitekturë autoktone. Sot për fat të keq shumë nga këto janë shkatërruar e janë lënë pas dore, prandaj dua që t’ja rikthejmë Tetovës identitetin, por edhe dinjitetin dhe krenarinë.

 


AlmakPress: Si e imagjinoni Tetovën pas 4 viteve?


Murseli: Unë dua që pas 4 viteve të garoj me program krejtësisht tjetër nga ky me të cilin do qeveris në mandatin e parë. Do angazhohem bashkë me ekipin tim që të përmbyllim përgjithmonë realizimin e bulevardeve sepse është e lodhshme njëherë në katër vite të punohet nga 200 metra. Duhet të ndërtojmë sa më shumë vendparkime sepse kaosi në trafik shkakton stres dhe lodhje tek qytetarët. Kazermën do e kemi park të qytetit, dhe qendër komunitare ku gjyshërit e gjyshet tona do kënaqen me nipat dhe mbesat. Pjesa e vjetër e qytetit do jetë atraksion turistik. Turizmi malor do zhvillohet gjatë çdo stine. Pas 4 viteve në Tetovë duhet të flitet për inovacion, për mundësi të zhvillimit të bizneseve, për inkubatorë idesh të rinisë. Nuk dua të flitet më për qen endacakë, mbeturina, kaos urbanistik.
 

AlmakPress: Pse duhet t’ju votojnë juve?


Murseli: Qytetarët duhet të na votojnë neve sepse dy nga kundërkandidatët e kanë patur rastin ta udhëheqin qytetin, dhe këtë s’e kanë bërë në mënyrën e duhur. Një nga kundërkandidatët e mi garoi por nuk ia doli të bind qytetarët se duhej ta zgjidhnin. Që të tre kundërkandidatët janë politikanë. Unë nuk jam politikan, unë jam menaxhues i mirë. Qyteti s’ka nevojë për politikanë, por për menaxhues të mirë. Politikanët e kanë dështuar qytetin dhe e kanë sjellë në këtë gjendje. Unë i ftoj qytetarët ta lexojnë programin dhe të bëhen pjesë e vullnetit tonë për fitore.


ALMAKPRESS.COM 


 

  



Të ndryshme
Më shumë
Vrasësit e fëmijëve ekzekutohen në asfalt me plumb në kokë, në sheshin publik në Jemen17 June 2021
26 mërgimtarë që pësuan nga aksidenti në Kroaci, transportohen për në Kosovë në ora 16:3027 July 2021
Pas shumë kohësh, hapen aplikimet për vizë pune në ambasadën e Gjermanisë 7 September 2021