Nga Vendi
27 November 2021
Maqedoni, vaksina: Kusht për të shkuar në punë

Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka kërkuar nga Komisioni për Sëmundje Infektive analiza më të detajuara para se të miratojë masat e propozuara për vaksinimin e të gjithë punonjësve të sektorit publik ose të bëjnë teste PCR të paktën një herë në javë, në të kundërtën, ata nuk do të lejohen të shkojnë në vendet e tyre të punës.

Këto masa ishin propozuar nga Shtabi i Krizës me rekomandim të Komisionit për Sëmundje Infektive, ndërsa ishin mbështetur edhe nga ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, sipas të cilit, “masat e propozuara nga ekspertët shëndetësorë janë plotësisht të qëndrueshme dhe do të japin rezultate në ruajtjen e gjendjes relativisht stabile epidemiologjike në vend dhe rritjen e numrit të të vaksinuarve në vend”.

“Duke nisur nga fakti i padiskutueshëm se vaksinimi masiv është përgjigja më efektive për mbrojtjen nga pasojat dhe parandalimin e përhapjes së pandemisë COVID-19, Qeveria vendosi të kërkojë nga Komisioni për Sëmundjet Infektive analiza shtesë dhe studime krahasuese për masat e propozuara, por edhe propozime për masa shtesë stimuluese për vaksinimin masiv”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Në pritje të analizave dhe masave shtesë, nga të gjitha ministritë kompetente dhe shërbimet inspektuese është kërkuar që të forcojnë kontrollet për zbatimin e masave aktuale, veçanërisht kontrollin e certifikatave të vaksinimit, testet PCR dhe vërtetimet për kalimin e sëmundjes COVID-19.

Kryetari i Konfederatës së Sindikatave të Lira, Bllagoja Ralpovski, thotë për Radion Evropa e Lirë se punonjësit e sektorit publik apo cilido qoftë punëtor tjetër, nuk mund të detyrohen që të vaksinohen për të hyrë në vendet e tyre të punës.

Sipas tij, punëtorët e sektorit publik janë punëtorët më të varfër dhe 70 deri në 80 mijë prej tyre marrin pagë minimale, andaj sipas Ralpovskit, nuk është njerëzore që këta punëtorë të ngarkohen edhe me pagesën për vaksinim kundër COVID-19.

Ai thotë se nëse Qeveria i miraton masat, sindikatat do të përdorin të gjitha mjetet që kanë në dispozicion për ta kundërshtuar një vendim të tillë.

“Mund të nisin protestat, ka mundësi të nisin edhe greva. Sindikata është një organizatë e bazuar në solidaritet. Më besoni se edhe kolegët e mi që janë vaksinuar i kundërshtojnë këto masa, sepse mendoj se është çnjerëzore të detyrosh dikë të bëjë diçka që nuk është e paraparë me ligj”, thotë Ralpovski./telegrafi.com



Të ndryshme
Më shumë
Teuta Arifi: Dua edhe një mandat tjetër për Tetovën21 October 2021
Edhe katër ditë fushatë, përforcohen aktivitetet zgjedhore të partive në Maqedoni26 October 2021
Maqedonia e Veriut: Në 24 orët e fundit janë bërë 1545 testime dhe janë regjistruar 199 raste të reja covid11 July 2020