Lideri i opozitës, Sali Berisha, u shpreh gjatë një takimi me demokratët në Mirditë se Edi Rama është në “rreth të kuq” dhe do të bjerë çdo ditë e më shumë. Ai e akuzoi Ramën për tentativë për të shkatërruar pluralizmin dhe lirinë e shqiptarëve, duke e lidhur regjimin e tij me krimin dhe drogën.
Berisha theksoi se Rama është shpallur armik i votës së lirë dhe i demokracisë nga partitë politike më të mëdha të Europës. Ai ftoi shqiptarët të qëndrojnë në anën e drejtë të historisë, për lirinë dhe pluralizmin. Berisha theksoi se programi i opozitës nuk është për karrigen e tij, por për një Shqipëri më të mirë. Ai përfundoi me një mesazh optimist për të ardhmen e vendit: “Rroftë Mirdita, rroftë Shqipëria!”
Burreci 2 metra i gjatë që u ndry prej 3 muajsh duke folur me vete dhe nuk dilte dot në një studio televizive, e ka humbur totalisht dhe unë dua të ju them ju dhe mbarë shqiptarëve: Edi Rama është në rreth të kuq, dhe ju jap fjalën e nderit se kurrë nuk del më.
Jo, jo miq.
Ai që mendoi se do të groposte opozitën,
Ai që mendoi se do të groposte në Shqipëri pluralizmin,
Se do të groposte idealet e vërteta të lirisë së shqiptarëve, ai ka rënë dhe do bjerë çdo ditë e më shumë në një gropë nga e cila kurrë më nuk do të dalë.
Në Valencia ranë kambanat e tij, për Edi Ramën.
Partitë politike më të mëdha të Europës, partia e Kancelarit Merz, partia e kancelarit austriak, partitë që kanë 14 kryeministra në Europë, e firmosën rezolutën, e votuan rezolutën për votën tuaj, duke damkosur Ramën si Llukashenkon, duke e shpallur atë armik të votës së lirë, armik të pluralizmit.
Duke e shpallur atë, regjimin e tij një bashkim me krimin dhe drogën, si asnjë tjetër në Europë.
Duke e shpallur atë si një rrezik të vërtetë për demokracinë, lirinë dhe vlerat e saj.
Miq, kjo damkë, kjo vulë që mori ai në Valencia nuk e lëshon atë gjer ditën e fundit te jetës së tij.
Ndaj mirditore dhe mirditorë, shqiptare dhe shqiptarë, qëndroni në anën e drejtë të historisë.
Ana e drejtë e historisë është ana e dinjitetit njerëzor, është ana e lirisë, ana e pluralizmit, ana e demokracisë, e shtetit ligjor.
Pasaporta e tij Europiane u hodh në kosh të plehrave. Edi Ramën e pret fati i McGonigalit.
Socialistë mirditorë, shqiptarë, të paparti, çfarë do që jeni.
Ky program është për çdo shqiptar, nuk është program për karrigen e Sali Berishës. Sali Berisha nuk lufton për pushtetin e tij në mënyrë absolute.
Në këtë stad të jetës time, nuk kam unë ambicie personale, as për pushtet, as për para, por kam një ambicie të madhe shumë, të pashtershme; ti shoh shqiptarët edhe njëherë me besim të plotë te Shqipëria.
Ti shoh shqiptarët edhe njëherë te jetojnë me dinjitet në këtë vend.
Ti shoh mirditorët ti besojnë Mirditës.
Ti shoh shqiptarët ti besojnë Shqipërisë,
Rroftë Mirdita, rroftë Shqipëria.
Fitore, jeni 1-sha. Koha është e Zotit, koha e 1-shave.
1-shi është numri i Zotit.
Fitore, fitore, fitore!