Më shumë se 65 botues po marrin pjesë në Panairin e Librit në Shkup. Përfaqësuesit e shtëpive botuese shpresojnë në numër të madh të vizitorëve. Thanë se edhe këtë vit kanë sjellë tituj të rinj për të rritur e për fëmijë.
“Kemi libra zanor, jozanor, për të rritur kemi botime të reja si për shembull kemi botimet më të reja të Petro Markos që është bë një koleksion i veprave të Petro Markos, kemi shumë tituj të ndryshëm për zhanre të ndryshme. Libri dhe leximi është thelb I jetës, mendoj që të rinjtë duhet të fokusohen më shumë, flas për ato të shkollës së mesme sidomos dhe studentët që duhet pak më shumë të nxitet vetëdija e leximit te ato”, tha Edona Ferati, shtëpia botuese “Albas”.
“Fatkeqësisht, shumë prej fëmijëve qëndrojnë në telefon por më gëzon fakti që vitin e fundit po dëgjoj nga shkollarët e mesëm se i janë kthyer leximit dhe po lexojnë libra shumë të mirë. Përveç që na gëzon, na jep shpresë se të rinjtë sërish do të fillojnë të lexojnë”, tha Emilija Zllatkova Anastasova, shtëpia botuese “Zbor”.
Nxënësit e parë që vizituan këtë panair tashmë kishin blerë edhe lektyrat e preferuara.
“Unë i kam ble “Borbardha” dhe “Doktori ofmëdhemb”, tha një nxënëse.
“Më pëlqej libri “Dielli”, shumë interesant me një qen dhe një djalë të vogël. A dëshiron të lexosh? Po. E përdor më shumë telefonin apo dëshiron të lexosh më shumë? Të dyja”, shtoi një tjetër nxënëse.
“Leximi për mua është shumë një gjë e çmuar. Nga ato që ke lexuar deri tash çfarë ke kuptuar ose çfarë më shumë të ka lënë përshtypje? Mesazhe se duhet punuar që të fitojmë”, tha një nxënës.
Panairi i Librit në arenën Boris Trajkovski në Shkup është i hapur nga ora 10 e mëngjesit deri në orën 20, përveç ditës së fundit, kur do të jetë i hapur deri në orën 18:00 Çmimet e biletave janë të njëjta si vitin e kaluar: biletë e rregullt – 100 denarë, biletë për vizita të organizuara studentore – 50 denarë për student, biletë për tre vizita në panair – 250 denarë. Hyrja është falas për fëmijët nën 12 vjeç të shoqëruar nga një prind. Me çdo biletë të blerë, Panairi i Librit do të dhurojë 15 denarë për Fshatin e Fëmijëve SOS. Panairi i Librit mbyllet më 14 maj./Alsat.mk