Pas largimit të Arben Taravarit nga posti i ministrit të Shëndetësisë, mbetet e paqartë se kush do ta zëvendësojë atë në këtë funksion. Partnerët e koalicionit qeverisës nuk kanë arritur ende një marrëveshje për emrin e ri që do të udhëheqë këtë resor të rëndësishëm.
Zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Valentin Manasievski, përgënjeshtroi zërat për ndonjë marrëveshje të arritur apo për ndonjë diskutim të konkretizuar për ndërrimin e ministrive midis partive të koalicionit. “Përgënjeshtrojmë që deri tani të jetë biseduar për çfarëdo qoftë shkëmbimi të ministrive ose resorëve ose për atë se kush do ta marrë ministrinë e Shëndetësisë. Kjo nuk është e vërtetë,” deklaroi Manasievski.
Deklarata e tij vjen si përgjigje ndaj spekulimeve për një marrëveshje të mundshme midis VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit VLEN për një shkëmbim të mundshëm të Ministrisë së Shëndetësisë me atë të Arsimit. Një ide e tillë u përmend publikisht edhe nga njëri prej liderëve të VLEN-it, Bilall Kasami.
Nga ana tjetër, Ministrja aktuale e Arsimit, Vesna Janevska, deklaroi se nuk është e informuar për ndonjë shkëmbim të mundshëm. “E lexova në media, por në këtë moment, si Ministre e Arsimit dhe Shkencës, kam kaq shumë punë për të përfunduar gjatë një mandati të tërë, saqë as nuk mendoj dhe as nuk jam e përfshirë në ato negociata. Ka një person përgjegjës që do të thotë se si duhet të jetë,” u shpreh Janevska.
Ndërkohë, nga Qeveria kanë bërë të ditur për agjencinë MIA se nuk do të ketë rikonstruim të kabinetit qeveritar, por vetëm zëvendësim të ministrave të larguar. Deri më tani nuk ka informacione zyrtare për emrat që do të emërohen në postet e lëna bosh nga kuadrot e Aleancës për Shqiptarët.
Në pritje të një vendimi përfundimtar, mbetet për t’u parë se cilat do të jenë zhvillimet e radhës në skenën politike dhe brenda kabinetit qeveritar./Almakpress