Nga Vendi
13 May 2025
Nuk pritet rikonstruim i Qeverisë, vetëm zëvendësim i ministrave të Aleancës për Shqiptarët

Pas vendimit të Aleancës për Shqiptarët (ASH) për të kaluar në opozitë, Qeveria ka konfirmuar se nuk do të ketë rikonstruim të ekzekutivit, por vetëm zëvendësim të ministrave që aktualisht vijnë nga kjo parti.

ASH aktualisht mban dy pozita ministrore në kabinetin qeveritar: Ministrinë e Shëndetësisë, të udhëhequr nga Arben Taravari, si dhe postin e zëvendëskryeministrit për qeverisje të mirë, të cilin e mban Arben Fetai. Ende mbetet e paqartë se si do të zhvillohet procesi i zëvendësimit – nëse ministrat e ASH-së do të dorëhiqen vetë apo do të shkarkohen nga posti.

Po ashtu, mbetet të shihet qëndrimi i pesë deputetëve të ASH-së, dhe nëse ata do të vazhdojnë ta mbështesin Arben Taravarin, pas kalimit të partisë në opozitë.

Ndërkohë, Qeveria ka lënë të hapur mundësinë për një riorganizim të resoreve mes partisë në pushtet, VMRO-DPMNE, dhe koalicionit shqiptar VLEN. Një zhvillim i tillë është paralajmëruar edhe nga lideri i VLEN-it, Bilall Kasami, i cili ka bërë të ditur se po zhvillohen negociata për zgjerimin e shumicës parlamentare, duke përfshirë deputetë nga opozita shqiptare dhe përfaqësues të komuniteteve tjera.

Pas njoftimit të Taravarit për tërheqjen e ASH-së nga qeveria, kryeministri Hristijan Mickoski nuk pritet të takohet me të. Ndërkohë, VMRO-DPMNE do të mbajë sot një mbledhje të Komitetit Ekzekutiv të partisë, ku pritet të diskutohen zhvillimet e fundit politike dhe hapat e ardhshëm të ekzekutivit./Almakpress



Të ndryshme
Më shumë
Rasti në Siniçan, Spasovski: Pse një prokuror duhet t’i paraqitet kryeministrit30 July 2020
Gruaja rrah burrin e saj, i shkakton lëndime trupore17 September 2021
Vuçiq: Nga Beogradi do të niseni deri në Tiranë dhe askush s’do t’iu ndalë29 July 2021