Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ashpër ndaj procesit të përzgjedhjes së Guvernatorit të ri të Bankës Popullore të Maqedonisë së Veriut, duke kritikuar mungesën e përfaqësimit të shqiptarëve në këtë pozitë të lartë institucionale.
Sipas BDI-së, më 21 maj pritet të votohet Guvernatori i ri, por në listën e ngushtë të katër kandidatëve nuk figuron asnjë shqiptar, çka sipas partisë përbën një tregues shqetësues për mungesën e karakterit multietnik në vendimmarrjen shtetërore.
“Sjellja është sikur kjo pozitë i takon ekskluzivisht maqedonasve etnikë dhe sikur kjo është punë e mbaruar paraprakisht. Në listën e ngushtë të katër kandidatëve aktualë, jo vetëm që nuk ka asnjë shqiptar, por ajo nuk pasqyron në asnjë mënyrë karakterin multietnik të shtetit”, thuhet në kumtesën për media të BDI-së.
BDI thekson se edhe pse procedura e përzgjedhjes ndjek rrugë ligjore dhe kushtetuese – përmes Presidentes dhe më pas Kuvendit – mungesa e një kandidati shqiptar në listë përbën një neglizhencë të qëllimshme nga strukturat udhëheqëse.
“Përfaqësuesit politikë shqiptarë brenda shumicës parlamentare duhej të siguronin të paktën përfshirjen në listën e ngushtë të njërit prej ekspertëve shqiptarë të lartë të ekonomisë, të cilët ky vend i ka me bollëk”, vijon deklarata.
BDI kritikon gjithashtu Kryeministrin, duke e akuzuar për ndërtimin e një strukture vendimmarrëse të mbyllur etnikisht dhe përjashtuese ndaj shqiptarëve.
“Kjo vetëm sa e thellon shijen e hidhur tek qytetarët shqiptarë – një realitet i vendosur nga vetë Kryeministri, i cili në mënyrë të qëllimshme krijoi rreth vetes rrethe koncentrike të mbyllura etnikisht: fillimisht në Kabinetin e tij, pastaj në rrethin e ngushtë të bashkëpunëtorëve me të cilët udhëton në vizita zyrtare, dhe tani edhe në zgjedhjen e Guvernatorit, sikur shqiptarët nuk kanë përfaqësues që mund të hyjnë në listën e ngushtë për këtë detyrë të lartë publike”.
Në fund të reagimit, BDI i bën thirrje Presidentes që të respektojë frymën e Kushtetutës dhe të ndërhyjë për të garantuar përfaqësim të barabartë të komuniteteve etnike në jetën publike dhe institucionale të vendit.
“Republika e Maqedonisë së Veriut është shtet i të gjithë qytetarëve të saj – pa dallim etnie apo përkatësie tjetër. Dhe Kushtetuta e vendit e obligon shtetin të sigurojë shpërndarje të drejtë dhe përfaqësim të barabartë të të gjitha komuniteteve etnike në jetën publike. I bëjmë thirrje Presidentes që, brenda kompetencave të saj, të tregojë më shumë përkushtim ndaj frymës së Kushtetutës që garanton karakterin multietnik të shtetit”, thuhet në fund të reagimit./Almakpress