Nga Vendi
15 May 2025
457 të vdekur në aksidente trafiku në 3 vjet – Masat për siguri rrugore po dështojnë

Në një periudhë trevjeçare, nga viti 2020 deri në 2023, 457 persona kanë humbur jetën në aksidente trafiku në vend, ndërsa janë regjistruar gjithsej 31,176 aksidente rrugore. Ky është përfundimi shqetësues i analizës së fundit të Entit Shtetëror të Revizionit (ESHR), i cili thekson se masat për rritjen e sigurisë në trafik nuk po japin rezultatet e pritura.

Sipas revizionit, shkaku kryesor i kësaj situate është zbatimi i ngadaltë dhe joefikas i aktiviteteve të parashikuara në dy strategjitë nacionale për sigurinë në trafik. Kjo vonesë ka sjellë përdorim joefikas të mjeteve financiare, zgjatje të afateve, kosto shtesë për shtetin dhe, më e rëndësishmja, dështim në uljen e numrit të aksidenteve dhe viktimave.

“Zbatimi i dobët i masave e pamundëson arritjen e efekteve të pritura për rritjen e sigurisë rrugore”, thuhet në raportin e ESHR.

Revizorët kanë vënë në dukje gjithashtu se projektet për rehabilitimin e rrugëve kombëtare dhe rajonale nuk janë realizuar siç ishte planifikuar, ndonëse fondet janë shpenzuar. Sistemi “Qytet i Sigurt”, që mund të ndihmonte në dokumentimin e shkeljeve dhe gjobitjen e kundërvajtësve, mbetet i pa shfrytëzuar – megjithëse funksional.

Ndërkohë, nga viti 2019 deri në 2023 janë shpenzuar 37 milionë denarë nga buxheti shtetëror për fushata që synojnë përmirësimin e gjendjes së rrugëve. Vetëm në vitin 2020, Qeveria bleu softuer dhe pajisje në vlerë prej 7.3 milionë denarësh – por as këto nuk kanë sjellë rezultate konkrete në terren.

Ekspertët e angazhuar për analizën paralajmërojnë për një nivel të lartë rreziku në rrugët e analizuara, ku sinjalistika horizontale dhe vertikale është e papërshtatshme, ndërsa mirëmbajtja është e dobët – faktorë që mund të kontribuojnë direkt në aksidente me pasoja tragjike.

Në fund të raportit, ESHR jep një sërë rekomandimesh, ku ndër më të rëndësishmet është nevoja për vendosjen e një sistemi efektiv për monitorimin dhe vlerësimin e ndikimit të masave të marra nga institucionet përkatëse./Almakpress



Të ndryshme
Më shumë
Covid-19:139 raste të reja 534 të shëruar,dhe 6 të vdekur nga Maqedonia31 July 2020
Një llamarinë e shqyer nga një ndërtesë në qendër të Shkupit plagosi një çiklist mëngjesin e sotëm15 July 2025
Aksident me vdekje në Tiranë31 July 2020