Nga Vendi
15 May 2025
Arben Taravari dorëzon dorëheqjen nga posti i Ministrit të Shëndetësisë

Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, ka dorëzuar zyrtarisht dorëheqjen e tij në Qeveri, duke konfirmuar paralajmërimin e një dite më parë. Vendimi i tij, siç tha vetë Taravari, vjen pas një reflektimi të gjatë personal dhe profesional.

“Detyrën që e mora me këtë funksion e kam ushtruar me përkushtim të plotë, transparencë dhe ndjenjë përgjegjësie ndaj qytetarëve dhe shtetit. Këtë vendim e kam marrë pas një vlerësimi të kujdesshëm personal dhe profesional, duke besuar se ky hap është në interesin më të mirë të institucionit dhe të parimeve të mia personale,” – deklaroi Arben Taravari.

Pas dorëzimit të dorëheqjes, ajo duhet të pranohet nga kryeministri, për të kaluar më pas në procedurat parlamentare. Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, konfirmoi se aktualisht nuk është pranuar ndonjë dokument zyrtar.

“Akoma nuk kemi asnjë informacion ose paralajmërim. Kur të marrim dorëheqjen me shkrim, atëherë sipas rregullores do të presim propozim nga Kryeministri që të konstatohet dorëheqja dhe më pas kalojmë në procedurën e caktimit të ministrit të ri. Flasim për situata hipotetike,” – u shpreh Gashi.

Koalicioni VLEN, pjesë e të cilit është edhe Aleanca për Shqiptarët (ASH), e sheh dorëheqjen e Taravarit si mundësi për të konsoliduar pozicionet e veta në Qeveri. Zëvendëskryeministri për qeverisje të mirë, Izet Mexhiti, siguroi se pozitat që i kanë takuar ASH-së do të mbeten brenda VLEN-it.

“Fillimisht duhet ta konstatojmë dorëheqjen. Ajo që është e rëndësishme, të gjitha pozicionet që i ka Aleanca për Shqiptarët, do të mbeten në kuadër të VLEN-it. Do të bëjmë analizë, do t’i japim më të mirët dhe më të përgatiturit për ato pozicione,” – deklaroi Mexhiti.

Ndërkohë, Taravari ka njoftuar se funksionarët e tjerë të ASH-së në Qeveri do të shkarkohen. Kjo, sipas Mexhitit, tregon përçarjen e brendshme në parti dhe largimin e Taravarit nga linja politike e shumicës në strukturat partiake.

“Kjo tregon që pjesa dërmuese brenda Aleancës për Shqiptarët që në themelim ka qenë antipod i BDI-së, nuk pajtohen me qëndrimin e kryetarit të partisë. Ka marrë rrugë të gabuar dhe është evidente që çdo ditë ka largime, ka paraqitje të mendimeve ndryshe nga funksionarë të ndryshëm,” – shtoi Mexhiti.

Aleanca për Shqiptarët aktualisht përfaqësohet në Qeveri me Ministrin e Shëndetësisë, Zv.kryeministrin për qeverisje të mirë, zv.ministrin e Bujqësisë dhe zv.ministrin e Mbrojtjes. Përveç këtyre, pritet që edhe funksionarët e tjerë të eshalonit të dytë dhe të tretë të largohen nga postet e tyre, si pjesë e ristrukturimeve të brendshme politike./Almakpress



Të ndryshme
Më shumë
Filloi takimi Ahmeti-Zaev, pritet arritja e marrëveshjes për qeverinë e re18 August 2020
Ishin nisur drejt Evropës, së paku 57 imigrantë mbyten në ujërat e Libisë27 July 2021
E neveritshme: Këngëtari pi nga këpucët e dasmorit, për një bakshish të majmë17 August 2021