Nga Vendi
16 May 2025
BDI denoncon: 14 punësime të reja në Arkivin Shtetëror – asnjë shqiptar mes tyre

Në Arkivin Shtetëror të Maqedonisë së Veriut janë angazhuar 14 të punësuar të rinj, të gjithë nga komuniteti maqedonas dhe asnjë shqiptar, ka bërë të ditur Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) përmes një kumtese për media.

BDI e cilëson këtë zhvillim si “një disbalancë tronditëse”, duke theksuar se nuk bëhet fjalë për një rast të izoluar, por për një fenomen më të gjerë të “përjashtimit sistematik të shqiptarëve nga institucionet shtetërore”.

Sipas kësaj partie, shqetësues është edhe fakti që për herë të parë që nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit, as pozita e drejtorit dhe as ajo e zëvendësdrejtorit në këtë institucion nuk i janë besuar ndonjë përfaqësuesi shqiptar.

“Një nga institucionet kyçe për kujtesën dhe identitetin shtetëror është shndërruar plotësisht në një bastion monoetnik”, thuhet në reagimin e BDI-së.

Partia thekson se kjo situatë është pasojë direkte e shfuqizimit të t.i. "balancerit", mekanizmit që garantonte përfaqësim të drejtë etnik sipas Marrëveshjes së Ohrit.

“Pa këtë instrument, mundësia për përfaqësim të barabartë zhduket dhe institucionet shtetërore gjithnjë e më shumë po ngjajnë në institucione njëetnike nga një kohë tjetër”, thuhet në reagimin e BDI-së.

Më tej, BDI kritikon edhe deputetët shqiptarë të shumicës parlamentare, të cilët sipas tyre, po heshtin përballë këtij diskriminimi.

“Edhe më tragjike është heshtja e mbetjeve të VLEN-it – nëntë deputetëve shqiptarë që mbështesin këtë Qeveri, të vetëshpallur përfaqësues të shqiptarëve – të cilët nuk reagojnë fare përballë kësaj fshirjeje masive të shqiptarëve nga administrata publike. Heshtja e tyre i bën bashkëfajtorë në këtë diskriminim sistematik dhe në rrënimin e bashkëjetesës”, përfundon reagimi i BDI-së.

Ky zhvillim vjen në një moment të ndjeshëm për sa i përket përfaqësimit etnik dhe bashkëjetesës në institucionet publike të Maqedonisë së Veriut./Almakpress



Të ndryshme
Më shumë
“Është problemi juaj që zgjidhni ‘burra’ që ju duan për shalë” 7 August 2020
Shilegov: Janë pastruar të gjitha rrugët e Shkupit14 February 2021
Euro 2020: UEFA nuk lejon ndriçimin me ngjyrat e ylberit22 June 2021