Nga Vendi
16 May 2025
Costa në Tiranë: Qëndrueshmëria dhe besimi, thelbësore për zgjerimin e BE-së në Ballkanin Perëndimor

TIRANË – Kryetari i Këshillit Evropian, Antonio Costa, deklaroi të enjten nga Tirana se ekziston një vrull i ri në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe se përpjekjet për integrimin e Ballkanit Perëndimor duhet të mbështeten në dy parime kyçe: qëndrueshmëri dhe besim.

Pas një darke joformale që shtroi për liderët e Ballkanit Perëndimor, kryeministrin polak Donald Tusk, si dhe krerët e institucioneve kryesore të BE-së – Ursula von der Leyen dhe Kaja Kallas – Costa shkroi në platformën “X” se procesi i anëtarësimit duhet të udhëhiqet nga qëndrueshmëria institucionale dhe ndërtimi i besimit reciprok.

“Qëndrueshmëria për BE-në nënkupton mbajtjen e zgjerimit në krye të agjendës politike, kurse për partnerët tanë në Ballkanin Perëndimor do të thotë përputhje me vlerat evropiane dhe zbatim të reformave”, u shpreh Costa.

Sa i përket besimit, ai theksoi se ky mund të ndërtohet vetëm përmes “dialogut të hapur – mes vendeve të rajonit dhe me institucionet e Bashkimit Evropian”.

Darkës në Tiranë iu bashkuan edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani; presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq; presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq; kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski; kryetarja e presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Zhelka Cvijanoviq; si dhe udhëheqësit shqiptarë, kryeministri Edi Rama dhe presidenti Bajram Begaj.

Kjo darkë u zhvillua në kuadër të Samitit të gjashtë të Komunitetit Politik Evropian, që mbahet të premten në Tiranë dhe që do të mbledhë së bashku 47 krerë shtetesh dhe qeverish, përveç udhëheqësve të institucioneve më të larta evropiane dhe ndërkombëtare.

Në fokus të samitit do të jenë sfidat e sigurisë dhe mbrojtjes në Evropë, me agresionin rus në Ukrainë si temën qendrore. Ndërkohë, vendet e Ballkanit Perëndimor shpresojnë se do të ketë përparim konkret në diskutimet për zgjerimin e BE-së.

Vizita në Tiranë shënoi edhe përfundimin e turit rajonal të Antonio Costas, i cili më parë kishte vizituar Beogradin, Sarajevën, Podgoricën, Prishtinën dhe Shkupin./Almakpress



Të ndryshme
Më shumë
Pamje të rralla/Tetova në një reportazh të vitit 1983 (VIDEO+FOTO)26 January 2021
Imer Selmani: Votuesit shqiptar do të vendosin se kush do të jetë në krye të Shkupit28 October 2021
Dy persona kanë kërcënuar stafin e spitalit “8 Shtatori”, arrestohen nga policia30 June 2020