Një ndër faqet më të ndjekura italiane, “Piccole Storie”, i ka kushtuar një artikull të veçantë përfaqësimit të Shqipërisë në Eurovision 2025, duke e cilësuar këngën “Zjerm” si “një kryevepër e vërtetë dhe e paparë më parë”.
Në një analizë të detajuar mbi performancën që dy artistët shqiptarë dhuruan në skenën e madhe të Eurovision-it në Bazel të Zvicrës, “Piccole Storie” shkruan:
“‘Zjerm’ është një dhuratë që Shqipëria i ka bërë Eurovision-it. Nuk është vetëm një këngë, është një përvojë ndjesore, një shpërthim identiteti dhe force artistike.”
Faqja italiane thekson se performanca ishte një kombinim i “magjisë elektronike me rrënjët folklorike”, duke e përshkruar këtë sintezë si një manifest artistik që përfaqëson Shkodrën moderne dhe gjithë shpirtin shqiptar në një dimension europian.
“Është si të dëgjosh zërin e një populli që nuk kërkon të imitojë askënd, por që arrin të impresionojë me origjinalitetin e vet të thellë dhe të patjetërsueshëm,” – shkruan më tej “Piccole Storie”.
Kritika vlerëson gjithashtu përdorimin e elementëve vizualë dhe koreografisë si pjesë thelbësore të mesazhit të këngës, duke thënë se:
“Çdo dritë, çdo lëvizje në skenë, çdo puls i ritmit – është një pjesë e historisë që Shqipëria po i rrëfen Europës, me zjarrin që vetëm ajo di të ndezë.”
“Piccole Storie” përfundon shkrimin me një pohim të fortë:
“Shqipëria nuk mori pjesë këtë vit – ajo dominonte. ‘Zjerm’ është kënga që do të mbahet mend, sepse është art në kuptimin më të plotë të fjalës.”
Ky artikull është një vlerësim i rrallë për muzikën shqiptare në skenën ndërkombëtare dhe një dëshmi e ndikimit që një krijim autentik mund të ketë në një kompeticion si Eurovision./Almakpress