Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ka përkujtuar viktimat e Srebrenicës duke theksuar rëndësinë e kujtesës dhe përgjegjësisë njerëzore përballë tragjedive të së kaluarës. Ai tha se Srebrenica nuk është vetëm një datë në kalendarin e dhimbjes njerëzore, por një plagë që i kujton botës brishtësinë e qytetërimit. “Srebrenica është njëra prej vendeve ku historia nuk kalon vetëm si një lumë, por mpikset në kujtesën e njerëzimit”, u shpreh Mexhiti, duke theksuar se urrejtja e shoqëruar me pushtet dhe heshtja përballë padrejtësive mund të sjellin pasoja të rënda. Sipas tij, varret e Srebrenicës nuk mbajnë vetëm kujtimin e mijëra njerëzve të pafajshëm, por edhe një mesazh për brezat e ardhshëm që të mos lejojnë përsëritjen e tragjedive të tilla. “Harresa është aleatja më besnike e krimit, ndërsa kujtesa është forma më e lartë e drejtësisë që mund t’u ofrohet atyre që nuk patën mundësi të mbroheshin”, deklaroi Mexhiti. Ai përfundoi mesazhin e tij duke shprehur nderim për viktimat e Srebrenicës dhe duke theksuar se kujtimi i tyre duhet të mbetet i përjetshëm.