Zëvendëskryeministri i parë dhe njëri nga liderët e koalicionit VLEN, Izet Mexhiti, ka deklaruar se shumica parlamentare do të zgjerohet me përkrahjen e katër deputetëve nga Fronti Evropian, të cilët, sipas tij, tashmë janë shkëputur nga BDI dhe kanë zgjedhur të mbështesin shumicën aktuale.
Në një intervistë për Alsat, Mexhiti tha se lëvizjet politike kanë nisur dhe se ndryshimet do të bëhen të dukshme në ditët në vijim. Ai theksoi se bisedimet janë në fazën përfundimtare dhe pritet që përbërja parlamentare të ndryshojë.
“VLEN nuk do të mbetet me nëntë deputetë, as Fronti Europian me ata që i ka. Lëvizjet kanë filluar dhe mendoj se në ditët në vijim, veçanërisht javën tjetër, do të shihet se situata nuk është e tillë. Bisedimet nuk kanë mbaruar, por unë konfirmoj se ka një numër që tashmë e kanë lënë Frontin dhe mbështesin shumicën”, deklaroi Mexhiti.
Ai gjithashtu konfirmoi se të gjitha dikasteret në Qeveri të udhëhequra nga krahu i Aleancës për Shqiptarët i udhëhequr nga Arben Taravari, do të mbeten në kompetencë të VLEN-it.
“Ajo që është pushtet dhe që i përket VLEN-it, mbetet në VLEN. Tani, kush do të jetë pjesë e VLEN-it në të ardhmen – individë, subjekte të tjera – kjo është një çështje që po e diskutojmë dhe debatojmë, por këtë pushtet e drejton VLEN. Derisa të vendosim për rrethana të tjera për shkëmbimin e dikastereve, por tani për tani kjo temë është e mbyllur”, tha Mexhiti.
Sipas tij, pjesa më e madhe e Aleancës për Shqiptarët nuk e mbështet largimin e Arben Taravarit nga Qeveria. Duke folur për zëvendëskryeministrin për Politikat e Qeverisjes së Mirë, Arben Fetai, i cili ende nuk ka marrë një vendim për qëndrimin e tij në ekzekutiv, Mexhiti u shpreh optimist për vazhdimin e bashkëpunimit.
“Mendoj se gjatë kësaj periudhe ai ka bërë një punë të mirë si zëvendëskryeministër për Qeverisje të Mirë. Së bashku kontribuam në çështje të rëndësishme, në aspektin etnik dhe mendoj se Qeveria ka nevojë për këtë. Shpresoj që ai të qëndrojë”, shtoi ai.
Në lidhje me zgjedhjet lokale që po afrohen, Mexhiti paralajmëroi një qasje të re nga VLEN, duke theksuar se përveç kandidatëve partiakë, koalicioni do të mbështesë edhe kandidatë të pavarur në disa komuna, veçanërisht ato urbane.
“Lajmi i mirë për këto zgjedhje është se VLEN do të dalë nga ngjyrat e partisë, do të dalë edhe jashtë VLEN-it. Nëse kandidaturat janë më të mira në ndonjë komunë, do t’i mbështesim kandidatët e pavarur në komunat e mëdha urbane, ndërsa njëra prej tyre do të jetë Gostivari”, njoftoi ai.
Ky zhvillim tregon për dinamika të reja në skenën politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut, ndërsa pritet që javët në vijim të jenë vendimtare për konsolidimin e shumicës së re parlamentare./Almakpress