Në një tubim me qytetarët e Haraçinës, kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, lëshoi mesazhe të fuqishme në mbrojtje të bashkëjetesës dhe karakterit multietnik të shtetit, duke akuzuar kryeministrin Hristijan Mickoski për politika që rrezikojnë themelet e paqes dhe stabilitetit në vend.
“Ne nuk e marrim shtetin – ne e drejtojmë atë që na takon! Shqiptarët janë mbi 30%, jetojnë në kontinuitet në trojet e veta dhe janë pjesë e pandashme e shtetformësisë”, deklaroi Ahmeti, duke kundërshtuar retorikën që sipas tij synon të krijojë frikë se shqiptarët po “e marrin shtetin”.
Ai theksoi se shqiptarët janë kontribuues të pandashëm të shtetit dhe i bëri thirrje kryeministrit Mickoski që të japë sqarime publike për disa veprime të fundit të qeverisë.
“Nga ky takim në Haraçinë, i bëj thirrje Kristian Mickoskit të dalë para qytetarëve shqiptarë dhe të shpjegojë: Pse po e ndryshon Ligjin e Gjuhës? Pse po e ndryshon Marrëveshjen e Ohrit? Pse po e rrezikon paqen, stabilitetin dhe sigurinë e shtetit?”, pyeti lideri i BDI-së.
Ahmeti foli gjithashtu për përpjekjet për të përçarë shqiptarët, duke paralajmëruar për rrezikun e rikthimit të ideologjive të rrezikshme të së kaluarës.
“A e dini kush përdorte filozofinë e ‘shqiptarëve të ndershëm’? Millosheviçi! Dhe kushdo që sot promovon këtë ide, po e ringjall një logjikë që shqiptarët e kanë mundur me gjak e sakrificë”, u shpreh Ahmeti.
Ai përkujtoi rrugëtimin e shqiptarëve në vend, nga shtypja në të kaluarën, në ngritjen e institucioneve të veta dhe përfaqësimin dinjitoz në të gjitha nivelet.
“Sot, shqiptarët kanë tre universitete dhe mijëra kuadro profesionale. Asnjë forcë nuk mund ta ndalë këtë realitet! Ky shtet nuk mund të drejtohet më nga një palë e vetme. Nuk është në interesin e askujt që të rrezikohet bashkëjetesa. Kush i shërben të keqes, nuk mund të ketë partneritet me ne!”, theksoi lideri i BDI-së.
Në fund, Ahmeti bëri thirrje për ruajtjen e paqes, integrimin evropian dhe lëvizjen e lirë, duke e konsideruar këto si rrugën e vetme përpara për një shtet funksional dhe demokratik./Almakpress