Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, deklaroi sot se tashmë ka marrë vendimin për emrin që do të propozojë si guvernator të ri të Bankës Popullore. Emri i zgjedhur, megjithatë, do të bëhet publik vetëm pasi propozimi t’i dorëzohet zyrtarisht Kuvendit.
Në garë për këtë pozitë të rëndësishme janë ish-ministrat e Financave Zoran Stavrevski dhe Trajko Sllavevski, si dhe guvernatorja aktuale, Anita Angelovska-Bezhoska. Të tre kandidatët kanë një të kaluar partiake, por kjo, sipas Presidentes, nuk përbën pengesë për të ushtruar funksionin në mënyrë të pavarur.
“Ligji nuk lejon që, përderisa jeni në funksion, të jeni njëkohësisht anëtar i një partie. Kështu thotë neni – përderisa jeni në funksion, funksioni është i jokompatibil me anëtarësinë në parti,” theksoi Presidentja Siljanovska-Davkova në një deklaratë për media.
Ajo solli në vëmendje një shembull nga e kaluara, duke theksuar se përkatësia e mëhershme politike nuk duhet të përjashtojë asnjë kandidat të kualifikuar.
“Ne kemi pasur guvernator të jashtëzakonshëm, si Petar Goshev, i cili ka qenë kryetar partie. Nuk ka pasur problem me këtë. Çështja është që, përderisa e ushtroni funksionin, t’i harroni ndikimet partiake dhe të udhëhiqeni nga sfida e profesionit,” shtoi ajo.
Presidentja vlerësoi se të gjithë kandidatët që janë përmendur në opinion janë të kualifikuar nga aspekti profesional dhe teknik. “Kandidatet që ishin në opinion janë të gjithë, nëse shohim nga aspekti i njohurive eksperte, të kualifikuar. Ky është fakt,” theksoi ajo.
Emri i guvernatorit të ri pritet të bëhet publik në ditët në vijim, pas dorëzimit të propozimit në Kuvend./Almakpress