Katër persona janë arrestuar gjatë një aksioni të gjerë policor të zhvilluar sot në pesë lokacione të ndryshme në Shkup, nën dyshimet për përfshirje në një grup të organizuar kriminal të njohur si “Belanoca-Baron”. Aksioni “Bunker” u zbatua me urdhër të Prokurorisë Publike Themelore për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.
Sipas Prokurorisë, gjatë kontrollit në një nga lokacionet e bastisura është gjetur dhe sekuestruar një sasi e konsiderueshme marihuane. Të arrestuarit dyshohen për përfshirje në disa vepra të rënda penale, përfshirë trafikim droge dhe vrasje të kryera me porosi.
“Tre nga të dyshuarit, gjatë muajit korrik të vitit 2023, në territorin e Maqedonisë dhe Greqisë, të nxitur dhe me porosi nga një i dyshuar tjetër – organizatori i grupit, kanë ndërmarrë veprime të vëzhgimit të lokacionit të të dëmtuarit dhe kanë siguruar mjete për kryerjen e veprës penale,” – thuhet në njoftimin e Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.
Nga këto veprime, sipas të njëjtit burim, në Greqi është vrarë një anëtar i grupit rival kriminal “Gërçec”, si pjesë e një hakmarrjeje të organizuar.
Prokuroria njofton gjithashtu se disa nga të dyshuarit kanë marrë pjesë edhe në vrasjen e ndodhur në maj të vitit 2024 në Shkup, në një zonë të njohur si “Rruga e Plastikave”.
“Përpara një objekti në rrugën e ashtuquajtur ‘Rruga e Plastikave’, dy të dyshuar kryen vrasjen e një personi dhe gjatë largimit nga vendi i ngjarjes, qëlluan drejt një automjeti të parkuar pranë, duke plagosur persona të tjerë, njëri prej të cilëve ndërroi jetë,” – deklaron Prokuroria Publike Themelore për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.
Prokuroria do të kërkojë masën e paraburgimit për tre prej të dyshuarve, ndërsa për të katërtin do të kërkohen masa tjera sigurie.
Sipas Kodit Penal të Republikës së Maqedonisë së Veriut, për veprat penale të hakmarrjes dhe vrasjes me pagesë parashikohet dënim me burg prej të paktën dhjetë viteve ose burgim të përjetshëm./Almakpress