Nga Vendi
22 May 2025
Kocevski: Mbi 300 dëshmitarë të marrë në pyetje për rastin “Pulse”

Aktakuza për rastin tragjik të zjarrit në diskotekën “Pulse” në Koçan, ku humbën jetën 62 persona, pritet të përgatitet deri në mesin e qershorit. Këtë e bëri të ditur sot prokurori publik Ljupço Kocevski, i cili theksoi se hetimet janë në fazën përfundimtare dhe se brenda rreth dhjetë ditëve pritet mbyllja e procedurave hetimore.

“Kjo është e gjitha që mund të bëjmë për momentin. Si dje, ashtu edhe aktualisht, po merren në pyetje dëshmitarët dhe të dyshuarit, si dhe po mblidhen prova. Deri më tani janë marrë në pyetje një numër i madh dëshmitarësh, ndoshta mbi treqind,” deklaroi Kocevski.

Sipas tij, menjëherë pas përfundimit të hetimeve, mbrojtjes do t’i jepet mundësia të shqyrtojë provat para se të ngritet aktakuza zyrtare.

“Shpresoj që prokurorët publikë do ta përfundojnë procedurën sipas planit,” tha ai, duke shtuar se çdo zhvillim i ri do të merret parasysh për të zgjeruar hetimin nëse është e nevojshme.

Në këtë rast të rëndë penal, hetimet kanë identifikuar deri më tani 68 persona fizikë dhe 3 persona juridikë si të dyshuar. Ngjarja tragjike ndodhi më 16 mars 2025, gjatë një koncerti të grupit muzikor “DNA”, kur efektet piroteknike ndezën zjarrin që përfshiu me shpejtësi objektin.

Provat e deritanishme tregojnë se diskoteka “Pulse” operonte pa licencë të vlefshme dhe me shkelje të rënda të standardeve të sigurisë, përfshirë mungesën e sistemeve të mbrojtjes nga zjarri dhe daljeve të mjaftueshme të evakuimit, faktorë që rënduan pasojat e tragjedisë./Almakpress



Të ndryshme
Më shumë
BDl nis festën në Çair: Tupana e fishekzjarre15 July 2020
Ish - boksieri Luan Krasniqi propozohet për ambasador në Gjermani 3 September 2021
Kufijtë e BE-së mbesin të mbyllur për shtetasit e Maqedonisë edhe pas 1 korrikut29 June 2020