Koalicioni opozitar VLEN do të mbajë sonte mbledhjen e kryesisë qendrore, ku pritet të diskutohet për emrat e mundshëm që do të garojnë për kryetarë komunash në zgjedhjet lokale të ardhshme. Procesi i përzgjedhjes është shtyrë deri më tani për shkak të zhvillimeve të brendshme në Aleancën për Shqiptarët, njëra nga partitë përbërëse të këtij koalicioni.
Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, theksoi se përpara përzgjedhjes së kandidatëve, duhet të strukturohen shtabet zgjedhore qendrore dhe lokale. Ai bëri të ditur se në disa komuna përzgjedhja do të bazohet edhe në opinionin e qytetarëve.
“Do të jetë një praktikë përzgjedhjeje përmes metodologjisë që përfshin edhe mendimin publik. Mund të kemi disa kandidatë dhe të marrim mendimin e opinionit për të dalë me një version zyrtar,” deklaroi Kasami.
Ndërkohë, partia maqedonase VMRO-DPMNE është në fazën përfundimtare të procesit zgjedhor të brendshëm. Sipas deputetit Bojan Stojanovski, organet e partisë pritet të vendosin brenda këtij muaji për rreth 80 për qind të kandidatëve, ndërsa pjesa tjetër do të zgjidhet në muajin qershor pas analizave të detajuara.
Në anën tjetër, partitë shqiptare në opozitë ende nuk kanë konkretizuar emrat e kandidatëve. Fronti Evropian po punon në strukturimin e këshillave komunalë, ndërsa thirrjes së Arben Taravarit për një dalje të përbashkët në disa komuna strategjike si Manastiri, Kërçova, Bervenica, Çashka dhe Prespa, nuk i është përgjigjur ende asnjëra nga palët e ftuara, përfshirë edhe BDI-në dhe vetë VLEN-in.
Nga ana e saj, LSDM po vijon strukturimin për përzgjedhjen e kandidatit për Qytetin e Shkupit dhe përballjen në Kumanovë, ku Maksim Dimitrievski pritet të jetë sërish në garë, këtë herë ndoshta me përkrahjen e VMRO-DPMNE-së, ndonëse kjo mbetet ende jozyrtare./Almakpress