Nga Vendi
26 May 2025
Filipçe: Nevojitet takim liderësh për të ardhmen evropiane të vendit

Kryetari i LSDM-së dhe njëkohësisht kryetar i Këshillit Kombëtar për Integrime Evropiane, Venko Filipçe, ka theksuar rëndësinë e një takimi të liderëve politikë për të diskutuar të ardhmen evropiane të Maqedonisë së Veriut. Në një deklaratë për mediat pas seancës së Këshillit në Kuvend, Filipçe shprehu keqardhje për refuzimin e kryeministrit Hristijan Mickoski për të marrë pjesë në një takim të tillë, pa dëgjuar më parë arsyetimin e tij.

“Në fakt, kur diskutojmë për disa pika shumë të rëndësishme, siç është konsensusi kombëtar, kur të gjithë jemi të vetëdijshëm se duhet ta arrijmë atë, duke qenë gjithashtu shumë të vetëdijshëm se jetojmë në një vend shumëkombësh dhe multikulturor, besoj se kësaj çështjeje duhet t’i qasemi shumë seriozisht”, deklaroi Filipçe.

Ai theksoi se është e domosdoshme të sqarohen në mënyrë thelbësore disa aspekte të procesit të integrimit evropian, duke përfshirë edhe interpretimin e protokolleve dhe punën e komisionit për histori.

“Është e qartë se disa gjëra mund t’i lexojmë ndryshe, ndoshta t’i interpretojmë ndryshe. Nëse mendimi është ‘lundrues’ se komisioni për histori mund të jetë pengesë në procesin e integrimit evropian, pas ndryshimeve kushtetuese, dhe në Protokollin 2 besoj se është shkruar qartë se askund kjo nuk është kusht, por përkundrazi, që qeveritë të inkurajojnë punën e komisionit për histori. Të gjitha vendimet atje merren me konsensus, kështu që të dyja qeveritë duhet të bien dakord për vendimet përpara se të fillojnë të shqyrtohen pikat e tjera, pasi ato vijnë në rend të ditës”, u shpreh Filipçe.

Duke komentuar për propozimin e presidentes së vendit, Gordana Siljanovska-Davkova, Filipçe tha se nuk është i njohur me detajet, por shtoi se ai dhe LSDM do të mbështesin çdo iniciativë që do të përmirësojë pozicionin negociues të vendit ose që do të zhbllokojë procesin e integrimit evropian.

“Ne do të jemi gjithmonë në anën e zgjidhjeve që e afrojnë vendin tonë me Bashkimin Evropian”, përfundoi Filipçe./Almakpress

 

 



Të ndryshme
Më shumë
Leyen: BE duhet të përmbush premtimet për Shkupin dhe Tiranën 6 July 2021
Arsovska: Për mua nuk ka ndarje dhe kjo do të dëshmohet10 September 2021
Ngushëllime dhe ndihmë nga vendet e rajonit dhe BE-së, për kapërcimin e pasojave 9 September 2021