Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ashpër ndaj një skandali që, sipas kësaj partie, rëndon mbi kryetarin aktual të Komunës së Tetovës, Bilall Kasami. Në një deklaratë për media, BDI shpreh "shqetësim të thellë dhe indinjatë të madhe" për shpërndarjen dhe shitjen e librave të shkrimtarit të njohur Ismail Kadare në mënyrë të paligjshme, pa të drejta autori.
"Siç është bërë publike nga botuesi i njohur shqiptar, Bujar Hudhri nga Shtëpia Botuese ‘Onufri’, në Tetovë janë shpërndarë dhe shitur libra të autorit të madh të letërsisë shqipe, Ismail Kadare, pa të drejta autori – një akt i papranueshëm dhe i dënueshëm si nga ana morale ashtu edhe ligjore", thuhet në reagimin e BDI-së.
Ironia, sipas kësaj partie, qëndron në faktin se "i njëjti z. Kasami, që publikisht e shpalli Ismail Kadarenë ‘Qytetar Nderi’ të Tetovës, është tashmë i përfshirë në një skandal ku figura e Kadaresë është përdorur për përfitime politike dhe materiale përmes shpërndarjes së veprave të tij në mënyrë të paligjshme".
Sipas BDI-së, dëmi i shkaktuar është "i trefishtë":
Shkelje e të drejtave të autorit, që cenon rëndë moralin dhe ligjin;
Mashtrim ndaj qytetarëve të Tetovës, të cilëve u ofrohen libra pa vlerë ligjore dhe me origjinë të dyshimtë;
Fyerje ndaj figurës së Ismail Kadaresë, një simbol kombëtar i kulturës shqiptare, që përdoret për propagandë politike pa dinjitet.
BDI kërkon ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet përkatëse dhe nisjen e hetimeve për këtë rast.
"Institucionet kompetente duhet të ndërhyjnë menjëherë dhe të hetojnë këtë rast. Ndërkohë, opinioni publik meriton transparencë të plotë dhe përgjegjësi konkrete nga kryetari Kasami dhe Komuna e Tetovës", thekson BDI.
Në përfundim, BDI nënvizon se "kultura dhe figura të tilla si Kadare nuk mund të përdoren si mallra për manipulime politike" dhe paralajmëron se "nuk do të lejojmë që emri i Tetovës të njolloset në këtë mënyrë"./Almakpress