Nga Vendi
28 May 2025
Promovohet “One Stop Shop” në kufirin Jazhincë – Glloboçicë: Mexhiti – Po e afrojmë Tetovën me Prishtinën

Në pikën kufitare Jazhincë – Glloboçicë, që lidh Maqedoninë e Veriut me Kosovën, u promovua sot projekti i përbashkët “One Stop Shop”. Ky model modern i kontrollit kufitar ka për qëllim përshpejtimin e qarkullimit të qytetarëve dhe mallrave mes dy vendeve. Në ceremoninë e inaugurimit morën pjesë ministrat e Punëve të Brendshme të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, Xhelal Sveçla dhe Pançe Toshkovski, si dhe zëvendëskryeministri i RMV-së, Izet Mexhiti.

Mexhiti, duke folur për rëndësinë e këtij projekti, tha se pas suksesit të modelit “One Stop Shop” në pikën kufitare “Bllacë”, ai po zgjerohet edhe në pika të tjera kufitare për të lehtësuar lëvizjen e qytetarëve.

“Në Bllacë kemi pasur dilema se si do të funksionojë ‘One Stop Shop’, por u pa që nga pritjet me kolona, tani kemi pritje 2 minuta. Atje kemi afruar Shkupin me Prishtinën, ndërsa tani afrojmë Tetovën me Prishtinën. Kjo është në funksion të qytetarëve dhe plani është që të vazhdojmë edhe me pikat tjera kufitare”, deklaroi Mexhiti.

Ai shtoi se zbatimi i këtij projekti është një hap konkret drejt përmirësimit të infrastrukturës kufitare dhe forcimit të bashkëpunimit rajonal.

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, theksoi gjithashtu rëndësinë e këtij bashkëpunimi për lehtësimin e lëvizjes dhe forcimin e kontrollit të përbashkët kufitar.

“Besoj se kjo do të sjell të mira për qytetarët e të dy vendeve, posaçërisht për banorët e kësaj zone kufitare. Por, njëkohësisht vërejmë bashkëpunim të mirë në mes të dy policive për të parandaluar keqpërdorimet ose shkeljet ligjore sa i takon kufijve”, u shpreh Sveçla.

Projekti “One Stop Shop” synon të vendosë një sistem unik të kontrollit, ku autoritetet kufitare të të dy vendeve operojnë në një pikë të vetme, duke shmangur procedurat e dyfishta dhe pritjet e gjata për udhëtarët. Pas suksesit të implementimit në “Bllacë”, tashmë edhe pika Jazhincë – Glloboçicë do të ofrojë një përvojë më të shpejtë dhe efikase për kalimin kufitar./Almakpress



Të ndryshme
Më shumë
Mizrahi: Zaev betohej në fëmijët se nuk do ta ndryshojë emrin kushtetues29 August 2020
Deklarata e Sharon Stone për Meryl Streep bëhet virale, kjo është arsyeja24 June 2021
Zaev: 13 vatra aktive të zjarrit, presim ndihmë nga Serbia dhe NATO 3 August 2021