Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, deklaroi se punëtorët e Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve nuk mund të marrin pagat e tyre pa ndryshimet e nevojshme ligjore. Sipas tij, ky është një hap i domosdoshëm për harmonizimin me Ligjin për Organizimin dhe Punën e Organeve të Administratës Shtetërore.
“Që të mund të marrin pagat e tyre, duhet së pari të bëjmë ndryshimet ligjore për ta vendosur Inspektoratin nën kompetencat e Ministrisë së Drejtësisë. Kjo është zgjidhje e përkohshme, derisa të realizohet qëllimi final – që Inspektorati të funksionojë në kuadër të Agjencisë për Zbatimin e Gjuhëve”, theksoi Mickoski.
Kryeministri sqaroi se procedura kërkon shumicë të Badenterit në Kuvend – një shumicë që, siç pranoi ai, momentalisht nuk e ka mazhoranca aktuale.
“U bëj thirrje të gjithë deputetëve që të mbështesin këtë ligj. Është e rëndësishme që njerëzit të marrin menjëherë pagat e tyre të prapambetura, të cilat i kanë fituar me nder. Më pas, në një fazë të dytë, me ndryshim tjetër ligjor, Inspektorati do të kalojë nën Agjencinë, që është institucioni përgjegjës për politikat e gjuhëve”, tha Mickoski.
Ai kritikoi qëndrimin e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), që ka paralajmëruar se nuk do të votojë për ndryshimet ligjore.
“Nëse BDI nuk i voton këto ndryshime, atëherë tregon qartë se është konsistente në politikat e saj dyfytyrëshe, sepse në fakt po i lë pa paga punëtorët e Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhës Shqipe”, deklaroi kryeministri./Almakpress