Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, shprehu sot optimizëm të lartë për performancën ekonomike të vendit, duke theksuar se pret që Maqedonia e Veriut të renditet ndër pesë ekonomitë kryesore në Evropë në tremujorin e parë të këtij viti.
“Pres që në tremujorin e parë të këtij viti të jemi ndër pesë ekonomitë e para në Evropë,” deklaroi Mickoski gjatë një paraqitjeje për mediat para fillimit të akademisë solemne me rastin e 80-vjetorit të Entit Shtetëror të Statistikave.
Në të njëjtën prononcim, ai komentoi edhe efektet e vizitës së Ministrit të Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, në Shtetet e Bashkuara, ku ky i fundit u takua me Sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio.
“Mucunski është ndër shtatë ministrat e parë të jashtëm nga Evropa që u pritën në nivel dypalësh nga Sekretari i Shtetit Marco Rubio në Departamentin e Shtetit në SHBA. Takimi zgjati rreth 45 minuta, gjatë të cilit u theksua edhe një herë bashkëpunimi strategjik dhe rëndësia e tij mes dy vendeve, si dhe bashkëpunimi jashtëzakonisht i sinqertë deri më tani me administratën e Presidentit Trump dhe pritjet për të ardhmen,” theksoi Mickoski.
Ai shtoi gjithashtu se Maqedonia e Veriut është në rrugë të mirë për të qenë ndër vendet e para që do të nënshkruajnë një Marrëveshje për Tregti të Lirë me Shtetet e Bashkuara./Almakpress