Nga Vendi
2 June 2025
ASH – krahu i Selës: Qeveria të japë vendime të rregullta punëtorëve shëndetësorë, gjendja është alarmante

Aleanca për Shqiptarët (krahu i udhëhequr nga Ziadin Sela) i ka bërë thirrje qeverisë për të ndërmarrë masa urgjente në zgjidhjen e statusit të punëtorëve shëndetësorë, të cilët prej vitesh punojnë pa vendime të rregullta pune.

Në një reagim publik, ASH ka shprehur shqetësimin për, siç e quan, zvarritjen disavjeçare të procesit të sistemimit të mjekëve dhe personelit të mesëm në sektorin publik shëndetësor.

“Jemi dëshmitarë të pakënaqësive të vazhdueshme të punëtorëve dhe bashkëpunëtorëve shëndetësorë, të cilët me të drejtë reagojnë ndaj zvarritjes disavjeçare të procesit të angazhimit të tyre me vendime të rregullta pune. Kjo situatë jo vetëm që ndikon negativisht në moralin dhe motivimin e tyre, por e dëmton seriozisht edhe funksionimin e sistemit shëndetësor publik,” thuhet në kumtesën e ASH-së.

Partia ka kritikuar ashpër sjelljen e autoriteteve përgjegjëse, duke e cilësuar situatën në Spitalin Klinik të Tetovës si simbol të degradimit institucional dhe të mungesës së përgjegjësisë.

“Loja e pakuptimtë dhe denigruese mes qeverisë, ish-ministrit të Shëndetësisë dhe drejtorit të Spitalit Klinik në Tetovë ka çuar në degradimin e mëtejshëm të figurës së mantelbardhëve. Kjo papërgjegjësi institucionale po i demoralizon të rinjtë profesionistë të shëndetësisë, të cilët tashmë mezi presin të largohen drejt vendeve të tjera, duke e lënë vendin pa resurse humane thelbësore,” thekson më tej ASH.

Sipas kësaj force politike, përgjegjësi të drejtpërdrejtë për këtë gjendje mban edhe ish-ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari.

“Sjellja e papërgjegjshme e ish-ministrit Arben Taravari, i cili për të realizuar politikat e tij personale dhe grupore la në mëshirë të fatit punëtorët shëndetësorë, ka arritur kulmin. Ai do të përballet me verdiktin e qytetarëve në zgjedhjet e dyfishta të tetorit, ku llogaridhënia nuk do të mungojë,” thuhet në reagim.

ASH gjithashtu kritikon qeverinë aktuale të dalë nga koalicioni VLEN, duke e akuzuar për paaftësi dhe mungesë koordinimi në menaxhimin e çështjeve të ndjeshme.

“‘Ndryshimi’ i premtuar nga VLEN, i çakorduar dhe i paaftë, e përkeqësoi edhe më shumë gjendjen e këtyre profesionistëve, të cilët sot i gjejmë në çdo institucion shëndetësor duke punuar pa status të rregullt dhe në pasiguri të plotë,” thuhet në kumtesë.

ASH bën thirrje për një takim urgjent të Qeverisë, me një pikë të vetme në rend dite: punësimi emergjent me vendime të rregullta i të gjithë personelit të mesëm shëndetësor.

“Nisni nga Tetova, aty ku padrejtësia ka marrë formën më të dhimbshme. Veproni tani, sa nuk është bërë vonë. Sepse nëse sot i neglizhojmë mantelbardhët, nesër do të na mungojë vetë shpresa për një sistem shëndetësor funksional,” përfundon deklarata e Aleancës për Shqiptarët./Almakpress



Të ndryshme
Më shumë
Kosova shtrëngon masat, kthen në kufi dhjetëra shqiptarë të pavaksinuar dhe pa test30 August 2021
Aksident trafiku në “Aradhat Partizane”, rrokulliset vetura 8 September 2020
Paris Hilton mori 3 mijë urime për shtatzaninë që nuk ekziston29 July 2021